
Një operacion i padëgjuar më parë në historinë e hetimeve europiane ka dalë në dritë, duke zbuluar prapaskenat e një sistemi komunikimi të fshehtë që u përdor për të drejtuar trafik droge, urdhra vrasjesh dhe pazare miliardëshe të krimit të organizuar. Burime të sigurta konfirmojnë se hetuesit belg, të maskuar si pjesëtarë të grupeve kriminale, u infiltruan drejtpërdrejt në zemër të serverit qendror të aplikacionit famëkeq “Sky ECC”, duke i dhënë një goditje të paprecedentë “perandorëve” të botës së nëndheshme.
Operacioni nisi në vitin 2019, kur prokurorët belg zbuluan gjurmët e platformës sekrete dhe i përcollën informacionet tek autoritetet franceze. Në Lille, nën një vendim gjykate të rreptë, filluan përgjimet masive dhe të vazhdueshme për tre vite rresht. Hetuesit blenë telefonat e enkriptuar, depërtuan në sistem dhe nisën zbërthimin e bisedave, ku shfaqeshin plane trafiku, lista ekzekutimesh dhe emra të peshave të rënda të krimit ndërkombëtar, raporton “Ora News”. Nga miliona mesazhe të dekoduara, një pjesë e konsiderueshme rezultuan në gjuhën shqipe. Në këtë pikë, në lojë hyri SPAK, duke marrë nën administrim komunikimet e grupeve shqiptare.
Në dosjet më të bujshme të viteve të fundit – “Plumbi i Artë”, “Toyota Yaris”, hetimi ndaj Suel Çelës dhe Franc Çopjes – tashmë gjenden mesazhe të dala direkt nga “Sky ECC”. Por hetimet nuk ndalen këtu: burime brenda organit të akuzës paralajmërojnë se dhjetëra dosje të tjera pritet të shpërthejnë si mina me sahat. Përveç “Sky ECC”, prokuroria shqiptare ka siguruar edhe mesazhe nga platforma e enkriptuar “Matrix”, ku dyshohet se janë përdorur kode dhe fjalëkalime të brendshme për të fshehur transaksione të paligjshme, marrëveshje politike dhe bashkëpunime të dyshimta me elementë të krimit të organizuar.
Implikimi i politikës
Por informacionet më tronditëse lidhen me përfshirjen e zyrtarëve të lartë, ish-ministra, deputetë dhe drejtues lokalë, të cilët dyshohet se kanë përdorur aplikacionin për të siguruar mbrojtje ndaj trafikut, pastrimit të parave dhe marrëveshjeve të paligjshme. Një listë e zezë me dhjetëra emra – e mbajtur ende e mbyllur në kasafortat e SPAK – pritet të hapet në momentin kur të përfundojnë hetimet paraprake. Ky moment, sipas burimeve, mund të jetë fillimi i “ditëve të zeza” për shumë politikanë dhe biznesmenë të njohur. Europol e ka cilësuar këtë operacion si një nga goditjet më të forta kundër krimit të organizuar në dekadën e fundit. Tashmë, çdo mesazh i koduar i “Sky ECC” po shndërrohet në një provë të ftohtë gjyqësore, ndërsa në prapaskenë po përgatitet një valë arrestimesh që mund të shkundë themelet e politikës dhe botës së krimit në Shqipëri.
Çfarë është “Sky ECC”
Aplikacioni “Sky ECC” ishte një aplikacion i sigurt mesazhesh dikur i vlerësuar nga baronët e krimit të drogës. Por, pasi u godit nga hetuesit në vitin 2021, ajo ka njohur vetëm rënie.
Policia nga Belgjika, Franca dhe Holanda tani po shqyrton një gamë të madhe mesazhesh të dërguara brenda bandave të fshehta të kontrabandës së drogës dhe ata kanë filluar të arrestojnë personat e inkriminuar. Sipas Sky ECC, produkti i tyre është ndërtuar mbi parimet e sigurisë zero të besimit, i cili e konsideron çdo kërkesë si shkelje dhe e verifikon atë duke përdorur shtresa sigurie për të mbrojtur informacionin e ndjeshëm. Sky ECC kodon komunikimet përmes tuneleve private nëpërmjet rrjeteve të shpërndara dhe nivelit më të lartë të kriptimit.
Çfarë është Encrochat?
Gjithçka lidhur me çkodimin e “Sky ECC” nisi pas zbërthimit të aplikacionit tjetër “Encrochat”, i cili u ofronte kriminelëve komunikime të gjoja të sigurta të koduara. Agjencia evropiane e policisë Europol zbuloi gjatë muajit qershor se rrëzimi i kësaj kompanie të nëndheshme çoi në më shumë se 6 mijë e 500 arrestime dhe 900 milionë euro në asete të sekuestruara. Sistemi kishte rreth 60 mijë përdorues kur u mbyll papritur në qershor 2020, dhe Europol zbuloi muajin pasardhës se zyrtarët e zbatimit të ligjit kishin përgjuar komunikimet e përdoruesve për muaj të tërë. EncroChat është një kompani e telefonisë celulare që synon të sigurojë celularë të modifikuar të cilëve u janë hequr mikrofonat, kamerat dhe sistemet GPS.
Më pas pajisjet kanë të instaluar një sistem operativ të posaçëm dhe softuer mesazhesh, i cili dërgon dhe merr mesazhe të koduara. Disa janë në gjendje të komunikojnë vetëm me telefona të tjerë në rrjet dhe kanë mundësinë që të futet një kod i cili me fshirjen e bisedave të koduara. Me dhjetëra agjentë nga e gjithë bota po punojnë me mesazhet e gjetura në aplikacionin “Sky ECC” dhe pritet që këtë vit të ketë vërtetë zhvillime në frontin e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit nga SPAK.