Ndahet nga jeta Pippo Baudo, ikona e televizionit italian

4
ndahet-nga-jeta-pippo-baudo,-ikona-e-televizionit-italian
Ndahet nga jeta Pippo Baudo, ikona e televizionit italian

Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo, i njohur për publikun si Pippo Baudo, ka ndërruar jetë sot në moshën 89-vjeçare. Ai ishte një nga figurat më të dashura dhe më jetëgjata të televizionit italian, me një karrierë që shtrihet për më shumë se gjysmë shekulli.

Gjatë jetës së tij profesionale, Baudo ka prezantuar një numër të madh emisionesh që kanë lënë gjurmë në historinë e televizionit, si Settevoci, Canzonissima, Domenica In, Fantastico, Serata d’onore dhe Novecento. Emri i tij lidhet ngushtë me Festivalin e Sanremos, të cilin e ka prezantuar plot 13 herë nga viti 1968 deri në 2008, duke mbajtur kështu rekordin absolut. Në shtatë prej këtyre edicioneve ai ka qenë edhe drejtor artistik.

Përveç televizionit, Pippo Baudo u shfaq edhe në teatër, filma e seriale, kryesisht si vetvetja, si dhe shkroi disa këngë të përdorura në spektakle dhe kinematografi. Daljet e tij në ekran ishin bërë më të rralla vitet e fundit, me paraqitjen e fundit publike në shtator të vitit 2023.
Baudo lindi më 7 qershor 1936 në Militello, Val di Catania. Fillimisht studioi drejtësi në Universitetin e Catanias dhe u diplomua, megjithëse nuk ushtroi kurrë profesionin e avokatit. Pas përvojave të para në teatër dhe si prezantues në skenat lokale, në fund të viteve ’50 ai iu bashkua orkestrës “Moonlight” si pianist e këngëtar. Me këtë grup debutoi në vitin 1959 në emisionin “La Conchiglia d’Oro”, i prezantuar nga Enzo Tortora.
Në fillim të viteve ’60 hyri në RAI, duke u bërë shpejt një prej fytyrave më të njohura të ekranit. Suksesi i madh erdhi me programin Settevoci në vitin 1966, ndërsa dy vite më vonë prezantoi për herë të parë Sanremon. Në vitet që pasuan, Baudo ishte pjesë e shumë projekteve televizive që shënuan epokë, përfshirë Domenica In, Fantastico dhe Un Disco per l’Estate.

Në vitet ’80, me ardhjen e televizioneve private, Baudo u angazhua edhe me Antenna Sicilia dhe Canale 5, ku prezantoi programe muzikore e zbavitëse. Nga 1984 deri më 1986 riktheu në kulm suksesin e Fantastico në Rai 1, duke fituar mbi konkurrencën e Canale 5.

Ndërkohë, prezantimet e tij në Sanremo të viteve 1984, 1985 dhe 1987 shënuan rekorde shikueshmërie, me finalen e vitit 1987 që mblodhi mbi 17 milionë italianë para ekranit.

Pippo Baudo mbetet një figurë ikonike e kulturës italiane, e dashur për publikun për profesionalizmin, karizmën dhe pasionin me të cilin e jetoi televizionin.

after content