EKZEKUTIMI i Artur Bashimit në Greqi/ Autori priti shënjestrën dhe e qëlloi në kokë, herën e dytë arma u bllokua, më pas…

8
ekzekutimi-i-artur-bashimit-ne-greqi/-autori-priti-shenjestren-dhe-e-qelloi-ne-koke,-heren-e-dyte-arma-u-bllokua,-me-pas…
EKZEKUTIMI i Artur Bashimit në Greqi/ Autori priti shënjestrën dhe e qëlloi në kokë, herën e dytë arma u bllokua, më pas…

Mbrëmjen e djeshme, 47-vjeçari shqiptar Artur Bashimi u ekzekutua me armë zjarri në rrugën Michael Voda, në zonën e Agios Panteleimonas, Athinë.

Sipas raportimeve nga mediat greke, autori kishte mbërritur në vendngjarje me një motor, i veshur me rroba të errëta dhe me helmetë në kokë. Ai qëndroi në pritje derisa shënjestra të mbërrinte dhe më pas e sulmoi nga një distancë e afërt.

Pas të shtënave të para, autori tentoi të qëllonte përsëri, por arma u bllokua dhe një fishek i mbetur ra në tokë. Pasi u sigurua që viktima nuk kishte shpëtuar, ai u largua me shpejtësi duke lënë Bashimin të vdekur.

Hetimet zbulojnë se Artur Bashimi kishte pasur të shkuar kriminale në Greqi, me arrestime të mëparshme për vjedhje dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Në shkurt 2022 ai u ndalua si pjesë e një grupi që kryente grabitje në transportin publik, ndërsa në prill 2024 u arrestua sërish për akuza të ngjashme.

Burime policore bëjnë me dije se i ndjeri është vëllai i Marsel Bashimit (i njohur edhe si Shkurtaj ose Gozhita), një emër i lidhur me disa çështje të rënda kriminale në Shqipëri dhe Greqi. Marsel Bashimi u arrestua në korrik 2022 së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku.

Autoritetet greke po hetojnë nëse vrasja e Artur Bashimit lidhet me aktivitetin kriminal të familjes Bashimi dhe konfliktet e tyre me grupe rivale.