
Deputeti i PD, Gazment Bardhi, ka publikuar të tjera pamje nga kamerat e QV në qarkun Fier, ku sipas tij tregohet sesi komisionerë të PS nxjerrin votat nga kutia e votimit për të komtrolluar sesi kanë votuar qytetarët.
Bardhi shprehet se kurrë në historinë e zgjedhjeve nuk ka ndodhur kontrolli masiv i votës dhe dhunimi brutal i fshehtësisë së saj, siç ka ndodhur me urdhër kriminal të Belinda Ballukut në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Episodi 6/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Kurrë në historinë e zgjedhjeve nuk ka ndodhur kontrolli masiv i votës dhe dhunimi brutal i fshehtësisë së saj, siç ka ndodhur me urdhër kriminal të Belinda Ballukut në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier. Nuk iu mjafton vetëm qëndrimi mbi kokë ndërkohë që qytetarët votojnë në dhomën e fshehtë, por kontrollojnë fletët e votimit edhe pasi ato janë hedhur në kutinë e votimit.
Pamjet më poshtë i përkasin QV 2846, njësia administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë, ku dallohet qartësisht komisioneri i PS që nxjerr fletën e votimit nga kutia, verifikon se si ka votuar qytetari dhe më pas e rihedh në kuti.
Dhunimi i fshehtësisë së votës përveçse një vepër penale që vijon të mbetet e pandëshkuar, është edhe akti më i shëmtuar që i kthen votimet në farsë, duke paracaktuar rezultatin e zgjedhjeve, përmes kontrollit masiv të votës me patronazhistë të shndërruar në terroristë elektoral.