Shiste kokainë, arrestohet shqiptarja në Itali/ Ja si 51-vjeçarja tentoi t’i shpëtonte policisë

2
shiste-kokaine,-arrestohet-shqiptarja-ne-itali/-ja-si-51-vjecarja-tentoi-t’i-shpetonte-policise
Shiste kokainë, arrestohet shqiptarja në Itali/ Ja si 51-vjeçarja tentoi t’i shpëtonte policisë

Një 51-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila ndodhej në Itali pa vendbanim të përhershëm dhe që rezulton e njohur më parë nga policia, është arrestuar pasi u kap me lëndë narkotike të llojit kokainë.

Më herët, forcat e rendit kishin ndaluar për kontroll dy burra në një automjet në komunën e Magione-s, të cilëve iu gjetën me 0,7 gramë dhe 1,3 gramë kokainë. Ata u referuan në Prefekturë si “përdorues”.

Pas kontrollit të mëtejshëm në banesën e njërit prej tyre, karabinierët gjetën aty edhe 51-vjeçaren shqiptare. Në momentin që pa forcat e policisë, ajo tentoi të hidhte tre qese të vogla të mbyllura hermetikisht, të cilat përmbanin gjithsej 1,70 gramë kokainë.

Nga kontrolli personal i ushtruar ndaj saj, u sekuestruan edhe 4 qese të tjera me 2,20 gramë kokainë, 50 euro cash – të dyshuara si përfitim nga shitja e drogës – si dhe një telefon celular.

Pas kësaj, gruaja u arrestua në flagrancë për veprën penale të “posedimit me qëllim shpërndarjeje të lëndëve narkotike”.

Pas procedurave të zakonshme në Komandën e Karabinierëve në Città della Pieve, ajo u mbajt në qelitë e sigurisë në pritje të procesit gjyqësor të shkurtuar. Gjyqtari konfirmoi arrestimin dhe vendosi masën ndaluese të moslejimit të kthimit në Provincën e Perugias.