Vdekjen e quajti “zonjë madhështore”, sot homazhet për Artur Zhejin! Nuk arriti dot të festonte më 29 gusht ditëlindjen e tij të 64-t

4
vdekjen-e-quajti-“zonje-madheshtore”,-sot-homazhet-per-artur-zhejin!-nuk-arriti-dot-te-festonte-me-29-gusht-ditelindjen-e-tij-te-64-t
Vdekjen e quajti “zonjë madhështore”, sot homazhet për Artur Zhejin! Nuk arriti dot të festonte më 29 gusht ditëlindjen e tij të 64-t

Gazetari dhe publicisti Artur Zheji u nda nga jeta në mënyrë të papritur pasditen e së shtunës, pas një arresti kardiak, ndërkohë që ndodhej për pushime me familjen e tij në Sarandë.

Artur Zheji ishte një prej figurave më të shquara të mendimit, publicistikës dhe gazetarisë shqiptare. Nuk arriti dot të festonte më 29 gusht ditëlindjen e tij të 64-t. Por dita e sotme do të jetë një ditë në nder të Artur Zhejit.

Nga ora 10:00 deri në mesditë, në mjediset e Universitetit të Arteve organizohen homazhet për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej figurave më të rëndësishme të publicistikës moderne. Ceremonia private do të mbahet më pas te “Alba 2000”. Artur Zheji do të prehet në Tufinë, pranë të atit, gjuhëtarit të madh Petro Zheji. Shqipëria humbi një mendimtar të rrallë, analist, gazetar me karrierë të gjatë e të suksesshme, që u largua nga jeta befas në një moshë të re 63-vjeçare, duke lënë një boshllëk në jetën publike.

Publicist, analist, mendimtar dhe një ndër zërat më të artikuluar të shoqërisë sonë, u nda nga jeta në moshën 64- vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak në Sarandë. Sipas njoftimit të policisë, ai është ndjerë keq rreth orës 16:10 dhe gjatë kohës që po transportohej në spital ka ndërruar jetë. Lindur më 29 gusht 1961 në Tiranë, Artur Zheji rridhte nga një familje me rrënjë të thella në historinë dhe kulturën shqiptare. Djali i gjuhëtarit të shquar Petro Zheji dhe i aktores së njohur Besa Imami, ai u rrit në një ambient të pasur kulturor dhe intelektual, që më vonë do të shërbente si themel për rrugëtimin e tij në gazetari dhe filozofi politike.

Ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve për regji dhe më pas punoi si dramaturg në Teatrin Kombëtar. Në vitet ’90, Zheji e zhvilloi karrierën e tij në median italiane, duke u bërë një nga gazetarët më të njohur të radios radikale. U kthye në Shqipëri në kohën e luftës së Kosovës, ku me emisionin “Luftë apo paqe në Kosovë”, i dha një tjetër hov televizionit në Shqipëri. Zheji nuk ishte thjesht një analist. Në një epokë të mbingarkuar me lajme të shpejta dhe debate sipërfaqësore, ai guxonte të ngrinte pyetje të mëdha, të sfidonte konformizmin dhe të depërtonte thellë në kuptimin e ngjarjeve. Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, dha një kontribut të vyer në disa prej institucioneve kryesore mediatike të vendit.

Ka qenë drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe drejtor i gazetës “Mapo”, ku u dallua për stilin e tij të mprehtë dhe analizat e thelluara. Publikut të gjerë iu bë i njohur përmes emisionit “360 Gradë”, të cilin e drejtoi duke sjellë zëra të ndryshëm me kurajë dhe integritet profesional. I lidhur fort me Shqipërinë, me historinë dhe trashëgiminë e saj, Zheji ishte një kritik i ndershëm dhe dashamirës i vendit të vet. Ai besonte se dashuria për atdheun shprehet me guximin për të thënë të vërtetën, sado e vështirë të jetë ajo.

Nip i studiuesit të njohur Gjergj Zheji dhe pinjoll i një dinastie të ndritur intelektuale, Artur Zheji mishëroi përkushtimin ndaj dijes, mendimit të lirë dhe përgjegjësisë publike. Ai ishte mentor për shumë gazetarë të rinj, koleg i respektuar dhe njeri me integritet të pakompromis. Largimi i tij lë një boshllëk të ndjeshëm në median shqiptare dhe në jetën publike. Zëri i tij do të mungojë në debatet e ditës, në editorialet e kthjellëta dhe në interpretimet që nxisnin reflektim e diskutim të thelluar.

Zheji mbetet një pikë referimi për ata që zgjedhin të mendojnë para se të flasin dhe të pyesin përpara se të gjykojnë. Figura e tij mbetet e lidhur ngushtë me zhvillimin e mendimit kritik dhe jetës publike në Shqipëri, dhe do të kujtohet si një gazetar e analist me integritet, që i dha peshë debatit publik shqiptar. E quante “zonjë madhështore” vdekjen, në shkrimin dedikuar ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, e një vit më vonë, çfarë ai përshkruante si lutje e heshtur e njeriut për të shtyrë takimin me të, nuk u dëgjua. Zheji do të mbahet mend për lidhjen e fortë me Shqipërinë dhe do të mbetet një pikë referimi për gazetarinë shqiptare.

Begaj: Zheji, një prej zërave më aktiv në debatin publik

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, shprehu ngushëllimet e tij lidhur me vdekjen e papritur të gazetarit Artur Zheji. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj shpreh ngushëllimet familjes Zheji, por edhe komunitetit të medias për ndarjen e parakohshme të gazetarit. “Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe komunitetit të medias për ndarjen e papritur nga jeta të Artur Zhejit, një prej zërave më aktivë, më të angazhuar dhe më moderatorë e kontribuues në debatin publik në Shqipëri”, – shkruan kreu i shtetit në rrjetet sociale.

Rama për vdekjen e Artur Zhejit: Lamtumirë mik!

Kreu i qeverisë, Edi Rama, reagoi për vdekjen e gazetarit Artur Zheji. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shpreh ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të Zhejit. “Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin”, shkruan Rama në rrjetet sociale. Publicisti i njohur ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare, pas një arresti kardiak, teksa po drekonte me familjen e tij, pasi po festonin ditëlindjen e të birit, në Sarandë. Ai ndërroi jetë gjatë transportit në spital.

Berisha: Lutem që shpirti i Zhejit të gjejë paqen e merituar

Kreu demokrat, Sali Berisha, shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të mirënjohur, Artur Zheji. Përmes një postimi në rrjete sociale, Berisha lutet që shpirti i 64-vjeçarit të gjejë paqen e merituar. “Homazh për Artur Zhejin! Miq, gazetari, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe para kohe, sytë përgjithmonë. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve të afërmve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin”, – shkruan Sali Berisha në rrjete sociale.

Meta: Një mik dhe intelektual i pazëvendësueshëm

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagoi për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji. “Një intelektual i angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të pavarësisë së medias, vlerave të lirisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, Zheji udhëhoqi edhe si bashkëkryetar Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës, duke dhënë një kontribut të paharruar politik e shoqëror që përherë do të vlerësohet me respekt. Është trishtim i madh kur një mik dhe një profesionist si ai humbet jetën në mënyrë kaq të papritur dhe në kulmin e pjekurisë jetësore dhe profesionale. Një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për komunitetin e gazetarëve, me të cilët ndaj ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, – shprehet Meta.

Noka: Ikja jote e beftë na lë me dhimbje

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, përcolli një mesazh për ndarjen nga jeta në mënyrë të papritur të analistit Artur Zheji. “U prehsh në paqe Turi! Ikja jote e beftë na le me dhimbje. Ngushëllime familjes sate! Për pak ditë do të festonit ditëlindjen tënde, e ne miqtë e tu, do të të uronim 64-vjetorin. Ke lënë shumë kujtime pas, si drejtues e gazetar, si prind, bashkëshort e mik. Artur Zheji ishte biri i dy shqiptarëve të shkëlqyer, i zagoritit të gjithëditur Petro Zheji dhe i aktores së mirënjohur Besa Imami. Trashëgoi kulturën e tyre dhe spikati si personazh televiziv në prime!”, – tha Noka.