
Ish-presidenti Bamir Topi foli pasditen e sotme në News24 lidhur me ndarjen nga jeta në moshën 63-vjeçare të gazetari dhe publicistit të njohur Artur Zheji.
Topi e vlerëson Zhejin si një figurë qytetare, mendje hapur që nuk impononte kurrë mendimin e tij tek të tjerët.
Për Topin, Zheji do të mbahet mend për bisedat e tij të çlirëta dhe frytdhënëse.
Më tej thekson se formimi i Zhejit shkonte përtej pushtetit politik, tek institucionet e shtetit.
Ish-presidenti Bamir Topi: Kam pasur diferencë moshe 4-5 vite ajo që më bënte përshtypje dhe ja kam thënë, rinia e asaj kohe, 17 vjeçarët ishin shumë të shkujdesur në bisedat e tyre. Bënte përshtypje një adoleshent që e shikoja vazhdimisht vetëm që ecte në rrugën e Durrësit por me vete kishte gjithmonë një libër. Arturi bazën e nisjes, vinte nga një familje qytetare dhe vitet e para e orientuan drejt një formimi që na jep sot mundësinë që ta cilësojmë si një personazh të formuar në një terren familjar. Përveç profesionalizmit, gazetaria është profesion i ri, por Arturi në këtë relativizëm ishte dhe një njeri që e mirëkuptonte interlokutorin. E ndërtonte bisedën në varësi të personit që kishte përballë. Një bisedë e çlirët, natyrale, pa e imponuar. Artur Zheji nuk imponohej. E bënte bisedën sipas mendimit të tij, ndante idetë me atë që kishte përballë me shumë elegancë.
Marrëdhëniet tona kanë qenë në një terren natyral. Nuk kam dhënë këshillë për Arturin as ai nuk ka tentuar të japë këshillë. Produkti i bisedës ishte frytdhënës në të gjithë konjukturat e politikës. Shpeshherë politika dhe media janë në bashkëjetesë, janë dhe bashkëpunëtore në një mision. Jo gjithmonë shkojnë në terrenin virtual. Media interferon te politika, te korrentet underground. Këtë gjë nuk e kam parë te Arturi. Nuk kam investiguar, të kërkoj diçka që nuk e kam natyre dhe dyshim. Ka qenë i hapur. Përtej temave të ngushta, është marrë me çështje të interesit kombëtar. Me çështjet e shtetit, të rolit të institucioneve. Ajo që është më e rëndësishme për një vendim, jo vetëm pushteti politik. Është shteti, institucionet e shtetit. Asnjëherë shteti nuk të lë në baltë. Edhe në media njerëzit klasifikohen. Dua ta vlerësoj, kishte një lloj formimi përtej pushtetit politik, shkonte te shteti.