Pse kaq shumë aksidente, viktima në Fier?! Policia ‘liston’ shkaqet: Të dehur…dhe adoleshentë në timon

3
pse-kaq-shume-aksidente,-viktima-ne-fier?!-policia-‘liston’-shkaqet:-te-dehur…dhe-adoleshente-ne-timon
Pse kaq shumë aksidente, viktima në Fier?! Policia ‘liston’ shkaqet: Të dehur…dhe adoleshentë në timon

Qarku i Fierit rezulton më i prekuri nga aksidentet, nga të cilat vetëm gjatë këtij muaji, në 16 ngjarje, 3 persona humbën jetën dhe 9 të tjerë mbetën të plagosur. Shpejtësia, sipas policisë është vetëm një nga shkaqet e këtyre ngjarjeve të shtuara rrugore.

“Shkaqet, pas një analize që kemi bërë janë mosrespektim i normave të shpejtësisë, pozicionimi në karrexhatë, parakalimi i gabuar dhe fluksi tejet i shtuar i automjeteve në krahasim me vitet e kaluara.”, thotë Altin Dervishi, shef Sektori në Policinë Rrugore të Fierit.

Shefi i sektorit të Policisë Rrugore pranë Policisë së Fierit, Altin Dervishi, tregon zonat ku ndodhin më së shumë aksidentet në këtë qark.

“Pikat më problematike të identifikuara mbeten “Pushimi i Shoferit”, kryqëzimi i Savrës, aksi Savër–Çermë, rrethrrotullimi Savër–Ura e Kuçit, kryqëzimi i Vajkanit, si edhe rrethrrotullimi Parku–Qendër e segmenti Qendër–QTU. Në këto akse kontrollet kanë qenë të pandërprera, me shërbime të shtuara dhe patrulla të dedikuara.”, shprehet Dervishi.

Dervishi ngre shqetësimin për një tjetër fenomeni që sa vjen dhe bëhet më problem.

“Drejtimi i automjeteve nga adoleshentët, çka ka bërë që Policia të kërkojë angazhim më të madh nga prindërit, për të mos i lejuar fëmijët të marrin timonin”, thotë Altin Dervishi, shef Sektori në Policinë Rrugore të Fierit.

Në përpjekje për të parandaluar përplasjet, policia në 25 ditët e para të gushtit ka vendosur 6 088 gjoba për shkeljet rrugore, ndër të cilat shumica për shpejtësi tej normave, parakalim të gabuar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, rripi i sigurimit, apo edhe përdorimi i telefonit.

GJOBAT SIPAS SHKELJEVE
4 185 për shpejtësi tej normave

416 për parakalim të gabuar

22 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit

122 për mosvendosje të rripit të sigurimit

196 për mungesë të kasës mbrojtëse

12 për përdorim celulari në timon

328 për parkim të gabuar

789 për shkelje të tjera