
Kreu i PD-së, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, ka marrë pjesë në homazhet për ikonën e kinematografisë Dhimitër Anagnosti.
Ish-kryeministri ka lënë një shënim në kujtim të regjisorit të ndjerë, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Pas daljes nga TOB, ku zhvillohen homazhet në nder të ikonës së kinematografisë, Berisha u shpreh se Dhimitër Anagnosti “la një trashëgimi në të cilën do të jetojë në jetë të jetëve”.
“Është një prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve dhe shkrimtarëve më të shquar të vendit. La një trashëgimi në të cilën do të jetojë në jetë të jetëve. Ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij. Që në vitet ’90, në reputacionin e tij u angazhuar në përmbysje të diktaturës, ishte deputet i PD në dy legjislatura dhe ministër i Kulturës”, theksoi Berisha.