Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur këtë të premte në Essen të Gjermanisë. Një 18-vjeçar, që sipas mediave vendase dyshohet të jetë me origjinë nga Kosova, goditi me thikë mësuesen duke e lënë atë të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një kolegj profesional, ku ai ishte student. Sipas asaj që raporton Bild, 18-vjeçari u qëllua për vdekje nga policia. Sa i takon mësueses, ajo ka marrë një plagë në bark dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për momentin nuk është e qartë nëse ngjarja ndodhi gjatë orës së mësimit, apo i riu erdhi nga jashtë në klasë. Por dëshmitarë thanë se ai iu afrua mësueses dhe e goditi me thikë. Më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Sulmi ndodhi rreth orës 09:30. Menjëherë forcat policore rrethuan kompleksin, me qëllim kapjen e autorit.
Rreth orës 11:00, studenti u pikas në një park rreth tre kilometra larg shkollës. Kur forcat speciale tentuan t’i afroheshin, ai vrapoi drejt tyre me thikë në dorë. Autoritetet gjermane u kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.
Sipas Bild, përveç mësueses e cila mbeti e plagosur rëndë, disa persona të tjerë po marrin trajtim mjekësor për shkak të gjendjes së shokut.