
Zef Lazri, një punonjës i shërbimit pyjor në fshatin Vig të Vaut të Dejës, është arrestuar në kushtet e flagrancës nga efektivët e Policisë. Ai akuzohet se është pronari i një parcele me rreth 98 rrënjë bimë narkotike që është zbuluar në këtë fshat.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin Zef Lazri, 62 vjeç, banues në fshatin Vig.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive, dyshohet se ky shtetas, punonjës i sektorit pyjor Vig, ka kultivuar 98 bimë narkotike, në një parcelë publike, në fshatin Vig. Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Siç shihet dhe nga pamjet e shpërndara nga Policia e Shtetit, punonjësi i shërbimit pyjor shihet duke u kujdesur për bimët, që janë bërë “për lezet”, ndërsa në fytyrë mban një kapuç të zi. Operacioni është finalizuar në kohë dhe bimët janë asgjësuar.