
Policia serbe përdori të premten gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese në një kampus universitar në Novi Sad për të shpërndarë protestuesit që kërkuan zgjedhje të parakohshme, të cilat shpresojnë se do të rrëzonin presidentin Aleksandar Vuçiç dhe Partinë e tij në pushtet, Partinë Progresive Serbe (SNS).
Të premten në mbrëmje, mijëra njerëz u mblodhën në kampusin e universitetit shtetëror. Ata mbanin pankarta ku shkruhej “Nuk duam bllokada, duam zgjedhje” dhe “Studentët kanë një kërkesë urgjente: Të thirren zgjedhje”.
Turma bërtiti “Vuçiç largohu”.
Protestuesit u përleshën me policinë përpara Fakultetit të Filozofisë dhe hodhën fishekzjarrë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të larguar turmën.
Muaj të tërë protestash në të gjithë Serbinë, përfshirë bllokadat e universiteteve shtetërore, të shkaktuara nga vdekja e 16 personave nëntorin e kaluar kur u shemb çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar, e kanë tronditur Vuçiçin dhe partinë e tij SNS.
Protestat ishin kryesisht paqësore deri më 13 gusht, kur dhjetëra oficerë policie dhe civilë u plagosën në përleshje.
Protestuesit kanë fajësuar korrupsionin për katastrofën e stacionit hekurudhor të Novi Sadit dhe po kërkojnë zgjedhje të parakohshme me shpresën për të rrëzuar Vuçiçin dhe partinë e tij.
Studentët, grupet e opozitës dhe organet mbikëqyrëse kundër korrupsionit kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, përdorimin e dhunës kundër rivalëve politikë dhe shtypjen e lirive të medias – akuza që ata i mohojnë.
«Zgjidhja është të shpallen zgjedhje», tha Nebojsha Korac, një nga protestuesit.
“Nga ana jonë, ne duam që paqja dhe demokracia të mbizotërojnë, dhe që institucionet politike të bëjnë punën e tyre. Kjo do të thotë thirrjen e zgjedhjeve, dhe kjo do të jetë zgjidhja, sepse qeveria do të ndryshojë”.