Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për listën e zezë, ja për çfarë bëhet fjalë

2
trump-nenshkruan-urdher-ekzekutiv-per-listen-e-zeze,-ja-per-cfare-behet-fjale
Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për listën e zezë, ja për çfarë bëhet fjalë

Presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv që parashikon krijimin e një liste të zezë të vendeve që po burgosin padrejtësisht amerikanët, një masë që do të sjellë sanksione për zyrtarët e tyre të përfshirë.

Kjo listë është frymëzuar nga lista e vendeve të akuzuara për mbështetje të terrorizmit: ajo hartohet nga Departamenti i Shtetit dhe përfshin sanksione të rënda ekonomike për vendet që akuzohen nga Uashingtoni.

Administrata Trump ende nuk ka njoftuar zyrtarisht ndonjë emër të vendeve që mund të shtohen në listën e zezë. Megjithatë, një zyrtar i lartë tha se rastet e Kinës, Iranit dhe Afganistanit do të shqyrtohen nga afër, pasi ato janë angazhuar “në mënyrë të përsëritur” në atë që ai e quajti “diplomaci pengjesh”.

“Sot po tërheqim një vijë shumë të qartë, një vijë të kuqe: nuk mund t’i përdorni amerikanët si monedha negociuese, përndryshe jeni të ekspozuar ndaj pasojave shumë serioze”, shpjegoi për shtypin zyrtari amerikan, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Bazuar në urdhrin e ri ekzekutiv, vendet e synuara nga Uashingtoni do t’i nënshtrohen sanksioneve dhe zyrtarëve të tyre të përfshirë në ndalimin e amerikanëve do t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Më keq akoma, Departamenti i Shtetit do të rezervojë të drejtën për të ndaluar qytetarët amerikanë të udhëtojnë në vendet që janë shtuar në listë.

Aktualisht, Uashingtoni nuk i ndalon rreptësisht qytetarët e tij të udhëtojnë përveçse në Korenë e Veriut, një vendim që rrjedh nga rasti i Otto Warmbier, një student i cili u arrestua në vitin 2015 në Phenian dhe vdiq në vitin 2017, menjëherë pas lirimit të tij.