
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një objektiv historik për vendin. Deklarata u bë gjatë Konferencës 3-ditore të Ambasadorëve Shqiptarë nëpër botë, ku u fol gjerësisht për rolin e diplomacisë dhe sukseset e arritura në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria është një vend i vogël, por me suksese të admirueshme. Kreditet në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë më parë,” u shpreh Rama në fjalën e tij. Ai vlerësoi punën e trupës diplomatike shqiptare, duke theksuar se shërbimi i jashtëm duhet të shndërrohet në një pikë referimi për talentet që dëshirojnë t’i shërbejnë vendit.
Një shembull konkret, sipas Kryeministrit, është puna e bërë në ambasadën shqiptare në Bruksel pranë Komisionit Evropian. Ai veçoi qasjen e re dhe bashkëpunimin mes Ministrisë së Jashtme, ministrave të Shtetit dhe ambasadorit Ferit Hoxha si një model pozitiv. “Është krijuar një bërthamë e qëndrueshme, një nga investimet më të bukura ndër vite në shërbimin tonë diplomatik,” tha Rama.
Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, duke i bërë thirrje përfaqësuesve diplomatikë të jenë promotorët më të vendosur të këtyre vlerave. “Kemi detyrimin të mirëmbajmë marrëdhëniet me faktorin shqiptar dhe të përcjellim mesazhin tonë si një komb i përkushtuar ndaj ardhmërisë evropiane dhe partneritetit me botën demokratike,” u shpreh ai.