Vrasja e Charlie Kirk, reagon presidenti Donald Trump: Moment i errët për Amerikën! Autori ende në arrati, dyshimet se aktivisti u qëllua nga çatia e një ndërtese

3
vrasja-e-charlie-kirk,-reagon-presidenti-donald-trump:-moment-i-erret-per-ameriken!-autori-ende-ne-arrati,-dyshimet-se-aktivisti-u-qellua-nga-catia-e-nje-ndertese
Vrasja e Charlie Kirk, reagon presidenti Donald Trump: Moment i errët për Amerikën! Autori ende në arrati, dyshimet se aktivisti u qëllua nga çatia e një ndërtese

Aktivisti konservator dhe aleati me ndikim i presidentit amerikan Donald Trump, Charlie Kirk, u qëllua për vdekje me armë zjarri në një aktivitet në kampus në Utah.

Në një video-mesazh, Trump thotë se është “i mbushur me pikëllim dhe zemërim për vrasjen e tmerrshme”, duke e quajtur një “moment të errët për Amerikën”.

“Charlie frymëzoi miliona njerëz dhe sonte të gjithë ata që e njihnin dhe e donin janë të bashkuar në tronditje dhe tmerr. Charlie është një patriot që ia kushtoi jetën e tij kauzës së debatit të hapur dhe vendit që ai e do kaq shumë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha presidenti i SHBA-së.

“Ai ishte një model për të vërtetën dhe lirinë, dhe kurrë nuk ka pasur njeri që të jetë respektuar kaq shumë nga të rinjtë. Charlie ishte gjithashtu një njeri me besim të thellë. Dhe ne ngushëllohemi duke ditur se tani është në paqe me Zotin në qiell”, u shpreh Trump, duke shtuar se i kërkoi Zotit të kujdesej për gruan dhe fëmijët e Kirk-ut.

Zonja e Parë Melania Trump gjithashtu i bëri homazhe Kirk, i cili ishte e martuar dhe babai i dy fëmijëve.

Në një postim në X, ajo tha se “fëmijët e tij do të rriten me histori në vend të kujtimeve, fotografi në vend të të qeshurave dhe heshtje aty ku duhet të kishte jehuar zëri i babait të tyre”.

Jeta e Kirkut duhet të “shërbejë si një kujtesë simbolike se vetëdija e dhembshurisë lartëson familjen, dashurinë dhe vendin”, theksoi Zonja e Parë e Amerikës.

Dy persona që u arrestuan u liruan më vonë, pasi sipas zyrtarëve nuk kishin “asnjë lidhje” me vrasjen.

Incidenti ishte një “sulm i synuar”, tha Departamenti i Sigurisë Publike i Utah-ut, ndërsa dyshohet se aktivisti është qëlluar me armë zjarri nga çatia e një ndërtese në oborrin ku Kirk po i drejtohej një turme të madhe.

Rreth 3.000 njerëz ishin në eventin, i cili u mbajt në sheshin e universitetit. Universiteti kishte siguruar 6 oficerë sigurie për takimin, përveç oficerit privat të sigurisë së Kirkut.

Ndërkohë kërkimet për autorin e vrasjes po vazhdojnë ende.