
Kryeministri Edi Rama, si dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, prezantoi këtë të enjte emrat e kabinetit të ri qeveritar, me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029. Emra të rinj në krye të ministrive, rikonfirmime, por edhe surpriza në listën e shpallur nga Rama.
Analisti Ermal Hasimja, në një lidhje direkte, e cilësoi listën e Ramës si të pritshme. Ai nënvizoi se kryeministri ka zgjedhur në pozicionet kryesore emrat e besuar, ndërkohë nga ana tjetër ka sjellë rifreskim në qeveri me emrat e rinj.
Sa i përket shkarkimit të z. Erion Veliaj dhe zgjedhjes së kandidates Ogerta Manastirliu, Hasimja u shpreh se nuk ishte surprizë, pasi shtoi se gjithmonë është përfolur si kandidatja kryesore.
INTERVISTA E PLOTË:
Kemi emra të rinj. Kemi dy kryetar bashkish që përfshihen, kemi zonja që vijnë nga një karrierë shumë e suksesshme jashtë Shqipërisë, kemi dhe teknikë të tjerë. Si e shihni këtë prurje të re, si pritet të ndikojë kjo tek performanca e qeverisë?
Hasimja: Prurjet e reja janë gjithmonë pozitive. Çështja është çfarë kontributi do japin prurjet e reja. Ky është problemi kryesor. Pa e gjykuar aspak gjithë karrierën e znj. Koçiu, pyetja e madhe është a do jetë ajo në gjendje të përplaset me krimin në Shqipëri, duke e ditur që shpesh krimi lidhet edhe me politikën. Këtu nuk është më çështja sa e aftë është, por sa do të jetë në gjendje të përplaset me politikën. Politika shqiptare gjithmonë e ka përdorur këtë si strategji për të vendosur emra të rinj, por ajo që mbetet për t’u parë është çfarë kontributi do japin këta të rinj.
Shkarkimi i Veliajt dhe zgjedhja e Manastriliut. Si e shihni këtë zgjedhje të z. Ramës?
Hasimja: Nuk ishte ndonjë surprizë e madhe. Ishin dy-tre emra që qarkullonin saktësisht. U krijua ideja, nisur edhe nga rezultatet, nga votat në Tiranë. Manastriliu ishte një nga kandidatet kryesore.