Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 4 vite burgim për dy akuza të rënda është lokalizuar dhe prangosur ditën e sotme në Elbasan.
Burime zyrtare bënë me dije se U.K., rezulton i dënuar me burgim për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Aksioni u krye nga agjentët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative.
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 1 muaj e 26 ditë burgim”, sqaroi policia vendore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.