Qeveria hap ‘thesin’, miliarda lekë shtesë për pensionet në 2026-ën

3
qeveria-hap-‘thesin’,-miliarda-leke-shtese-per-pensionet-ne-2026-en
Qeveria hap ‘thesin’, miliarda lekë shtesë për pensionet në 2026-ën

Vendimi i fundit i Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) krijon kushtet për rritje të pensioneve në vitet në vijim.

Tavanet e reja buxhetore për periudhën afatmesme 2026–2028 parashikojnë shpenzime deri në 204 miliardë lekë ose 11,7 miliardë lekë më shumë se tavani i programuar i vitit 2025.

Nëse shuma do të shpërndahej proporcionalisht për të gjithë përfituesit, çdo pensionist do të merrte mesatarisht rreth 16.220 lekë më shumë në vit, që përkthehet në rreth 1.350 lekë shtesë në muaj.

Rritja, për ekonomistin Adrian Civici, krijon kushtet për zbatimin e objektivave të qeverisë në fushën e sigurimeve shoqërore.

“Kjo shumë është tavan buxhetor, që nënkupton disponibilitetin financiar dhe monetar që do të ketë instituti i Sigurimeve Shoqërore për shpërndarjen e gjithë strukturës së pensioneve në Shqipëri,” shprehet z. Civici.Ekonomisti e vlerëson rritjen e tavanit, pasi krijon “siguri, stabilitet dhe garanci për dhënien e pensioneve për gjithë sistemin“.

Pavarësisht rritjes së planifikuar, pensionet ende mbeten pas nevojave me të cilat përballen pensionistët sot.

“Natyrisht, kjo shumë është e vogël, por po të kemi parasysh kostot e jetesës dhe nevojat që kanë pensionistët…” thekson z. Civici.

Statistikat e fundit të ISSH-së tregojnë se në fund të vitit 2024 ishin 721.398 pensionistë në total. Nga këta, 607.567 përfitojnë pension pleqërie, 65.926 pension invaliditeti dhe 47.905 pension familjar.