Katari njoftoi mbrëmë se synon të ndërmarrë veprime ligjore kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), pas sulmeve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) që kanë shënjestruar zyrtarë të lartë të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Ministri i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Mohammed bin Abdulaziz Al-Khulaifi, deklaroi përmes një postimi në rrjetin social X se ka zhvilluar dy takime me Zëvendës Prokurorin e GJNP-së, Nazhat Khan, për të diskutuar hapat e mëtejshëm ligjorë në lidhje me këtë çështje.
“E përsërita angazhimin e Katarit për të mbështetur rrugën e drejtësisë ndërkombëtare dhe për të siguruar që ata që kanë kryer krime të mbahen përgjegjës dhe të mos i shpëtojnë ndëshkimit sipas ligjit penal ndërkombëtar,” shkroi Khulaifi, duke dënuar “agresionin e Izraelit kundër Shtetit të Katarit”.