
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka përshëndetur zyrtarisht marrjen e detyrës nga Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij i ri qeveritar. Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, delegacioni i BE-së shprehu urimet dhe theksoi rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për reformat që do të çojnë vendin drejt anëtarësimit në Union.
“Urime Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave për marrjen e detyrës. Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027,” thuhet në reagimin zyrtar.
BE nënvizon gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë në Shqipëri, duke e cilësuar procesin e integrimit si një përpjekje kolektive në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
“Në pritje për të punuar me të gjithë aktorët shqiptarë për të arritur këtë moment historik, në të mirë të qytetarëve shqiptarë,” përfundon deklarata.