Në konferencën për mediat, Sali Berisha vijoi akuzat për mbyllje të dhunshme të Kuvendit, duke iu referuar seancës ku deputetët e tij shkaktuan kaos dhe penguan kryeministrin Edi Rama të prezantonte programin qeverisës, duke bërë që qeveria e re të votëbesohej brenda 25 minutave pa pasur debate. Duke e cilësuar situatën si “një betejë në vazhdim”, Berisha njoftoi se opozita do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë për të kundërshtuar atë që e quan “shkelje të kushtetutës”.
“Siç e patë ju, parlamentin e mbylli Edi Rama me Niko Peleshin, të cilët donin me çdo kusht që shqiptarët të mos kuptonin, të mos njiheshin me vjedhjet, shpërdorimet monstruoze të Edi Ramës, familjes dhe ministrave të tij. Shqiptarët të mos njiheshin me lidhjet e tmerrshme të krimit të ministrave dhe deputetëve të Edi Ramës. Shqiptarët të mos njiheshin me mashtrimet e mëdha që Edi Rama kishte përgatitur ntë ashtuquajturin program të tij. Ndaj dhe përdorin dhunën, shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e rregullores për të mbyllur seancën. Kjo është një betejë në vazhdim. Ne do të insistojmë me të gjitha mënyrat. Është bërë një vendim që të kërkohet një mocion mosbesimi për Peleshin e Ramës dhe do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Tani unë u garantoj ju se protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme që ka opozita për t’i imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën.”, tha Berisha.