Erion Veliaj drejt shkarkimit, çfarë pritet sot! Procedura që do ndiqet dhe ora kur Këshilli Bashkiak do të vendosë për fatin e kryebashkiakut të Tiranës

2

Këshilli Bashkiak do të mblidhet sot për të propozuar shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj.

Prej miratimit të ndarjes së re territoriale dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky është rasti i parë që këshilltarët do t’i propozojnë qeverisë shkarkimin e një kryetari bashkie.

Në orën 10:00 do të mblidhet së pari Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Drejtësisë Sociale, i cili do të shqyrtojë kërkesën e anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak.

Kërkesa, e firmosur nga grupi i këshilltarëve të mazhorancës vendos si motiv për shkarkimin nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku thuhet: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur: propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.

Këshilltarët argumentojnë se prej datës 10 shkurt që Erion Veliaj është arrestuar, kryeqyteti nuk ka kryetarin e zgjedhur dhe Tirana ka nevojë për një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve.

Pasi kërkesa të votohet në komision, në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të vendosur fatin e Veliajt. Ende është e paqartë nëse vetë Veliaj do të arrijë të sigurojë leje nga prokurori për të dalë nga burgu e për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit.

LETRA

Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, i është drejtuar Këshillit Bashkiak me një letër zyrtare, për t’iu përgjigjur kësaj të fundit. Në letër, Veliaj shkruan se sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial. Këshilli Bashkiak, në përgjigje të kërkesës së Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjen që do të vendoset për shkarkimin e tij, firmosur nga sekretari, i komunikoi krybashkiakut aktual se në rast se nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, ai ka të drejtë të paraqesë me shkrim mendimet dhe kundërshtimet e tij.

Veliaj shkruan se sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të këtij Këshilli. Në këtë mënyrë, Veliaj thekson se pjesëmarrja e tij në mbledhje nuk i takon sekretarit, por Këshillit Bashkiak. Më tej, ai thekson se është e drejta e tij si kryebashkiak për t’u dëgjuar për t’u mbrojtur.

Sipas Veliajt, ai nuk është informuar më herët për këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak, që do të mbahet në orën 16:00. Sipas tij, i vetmi informacion që ka nuk është zyrtar, por ai mediatik, duke theksuar se duhej të ishte komunikuar nga vetë Këshilli Bashkiak. Veliaj shkruan më tej se ai jo vetëm nuk është informuar për mbledhjen e këtij Këshilli, por gjithashtu as për arsyet e shkarkimit të tij.

REAGIMI

Pas kërkesës së Erion Veliajt për të qenë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të votohet për shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak, ka ardhur edhe përgjigja e Këshillit. Në letrën adresuar Erion Veliajt, thuhet se në rast të pamundësisë për të qenë prezent në mbledhje, atëherë observacionet t’i përcjellë me shkrim pranë Këshillit Bashkiak. Erion Veliaj u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit që të jetë i pranishëm në mbledhjen që do të mbahet ditën e martë. Veliaj ka sqaruar në kërkesën e tij se mungesa për më shumë se tre muaj nuk është si pasojë e vullnetit të tij, por si rrjedhojë e një mase sigurie, të cilën do ta kundërshtojë në të gjitha instancat gjyqësore. Ndaj dhe kërkon që të dëgjohet në mbledhje përpara se Këshilli të votojë për shkarkimin e tij.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra do të mbahet sot, në orën 16:00. Vendimi që do t’u hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë pritet të kundërshtohet nga Veliaj, por sakaq PS e ka zgjedhur kandidaten socialiste për të garuar për Bashkinë e Tiranës. Ajo është Ogerta Manastirlu, emri i së cilës u bë i dituar gjatë asamblesë së PS më 11 shtator.

/Gazeta Panorama