Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi edhe një herë sot aktin e sulmit me lëndë plasëse ndaj banesës së deputetit Xhelal Mziu, ish-kryebashkiak i Kamzës, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë.
Deklarata u bë sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.
“Së pari dua të dënoj edhe njëherë me forcën më të madhe, aktin terrorist ndaj deputetit të PD dhe heshtjen mortore të autoriteteve ç’ka dëshmojnë se qëndrojnë prapa tij. Aktin terrorist ndaj Xhelal Mziut”, tha kreu i selisë blu.
Më tej ai garantoi se këto sulme nuk do e mposhtnin dot opozitën dhe e cilësoi sulmin si terrorist.
“Duke i shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë deputetit Mziu, garantoj terroristët se asgjë nuk do të mund të mposhtë qëndrimin e deputetëve të opozitës në betejën e tyre kundër narkoshtetit, kundër kreut të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”, u shpreh Berisha mes të tjerash.
Më tej ai u shpreh se beteja e opozitës po hynte në një fazë të re, në atë të luftës ndaj karteleve të narkotrafikut.
“Beteja jonë kundër narkoshtetit hyn në një fazë të re. Se për fat të mirë të shqiptarëve dhe botës, në betejën kundër karteleve është hapur një kapitull i ri. Kartelet e drogës janë shpallur organizata terroriste ndaj dhe tani flitet për narkoterroristë, narkoterroristët dhe se cila është forca e narkoterroristëve të drejtuar nga Edi Rama atë e di më mirë se kushdo tjetër tregjet e kokainës në Europë, çmimin e të cilës e përcaktojnë narkokartelet terroriste shqiptare”, tha ai.