Moti i keq godet Italinë, përmbytje, rrëshqitje toke dhe rrezik për stuhi të reja

3

Italia po përballet me ciklonin e parë të vjeshtës, i cili ka sjellë mot ekstrem dhe shira të rrëmbyeshëm nga veriu në jug. Reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje toke dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Rajonet më të prekura janë Lombardia, Veneto dhe Lazio, ku moti i keq ka shkaktuar kaos. Në ishullin e Ischias një rrebesh i dhunshëm mori me vete makina, ndërsa rrugët në Gjirin e La Spezias u përmbytën dhe kodrat mbi Gjenovë pësuan rrëshqitje toke.

Meteorologët paralajmërojnë se reshje të dendura priten edhe në Toskanë e Lacio, sidomos përgjatë bregdetit Tirrenian. Në Kampani dhe Siçili, shiu mund të arrijë mbi 150 mm në vetëm 24 orë, ekuivalenti i një muaji të tërë vjeshte, duke rritur rrezikun për përmbytje lokale.

Sipas ekspertëve, këto shira të ashtuquajtur “kuazi-musone” janë pasojë e nxehtësisë së akumuluar gjatë verës dhe përplasjes së saj me rrymat ajrore nga Afrika veriore. Pas një vere jashtëzakonisht të nxehtë, fenomenet e tilla pritet të bëhen më të shpeshta gjatë muajve të vjeshtës.

Atmosfera aktuale në shumë zona përshkruhet si një “banjë turke” e mbushur me lagështirë. Ndërkohë, futja e ajrit më të freskët nga Evropa Veriore mund të sjellë një lehtësim të përkohshëm, por meteorologët paralajmërojnë se rreziku për ciklone të reja, sidomos në jug, mbetet i lartë. Ngrohtësia e detit pritet të nxisë reshje të forta edhe gjatë muajit nëntor.