
Sunny Hill Festival tashmë ka zbuluar emrat e artistëve që do të ngjiten në skenen magjike këtë vit.
Nata e parë do të fillojë fuqishëm me Dua Lipën, që rikthehet në vendlindje për ta hapur festivalin! Pjesë e turnet të albumimit “Radical Optimism” tani është edhe Prishtina.
Pas Dua Lipës, në skenën C4, do të performojë Fatboy Slim – legjenda e muzikës elektronike dhe fituesi i 6 MTV Video Music Awards. Me energjinë e tij, ai do të sjell argëtim deri në orët e para të mëngjesit.
Më 2 gusht, për herë të parë në Kosovë vjen ylli botëror Shawn Mendes! Fitues i “MTV Europe Music Awards” dhe me një prej zërave më të njohur të pop-it botëror, ka mbushur arena si “O2” në Londër e “Madison Square Garden” në Nju Jork. Performanca e tij në “Rock in Rio” përpara mbi 100 mijë vetave është vetëm një shembull i magjisë që Shawn Mendes sjell në skenë.
Po atë natë, në C4, do të performojë Mochakk, DJ-i brazilian që po pushton botën me stilin funky e ekspresiv. Nga “Coachella” në “Primavera Sound”, ai është renditur vitin e kaluar në Top 100 DJ me të mirë të botës.
Natën e fundit, skena kryesore i takon performancës audiovizuale nga Anyma – projekti solo i Matteo Milleri. Një përvojë e re e muzikës elektronike që veçohet për kombinimin me artin vizual duke tejkaluar kufijtë e zakonshëm e një performance.
Ndërsa në C4, festivali përmbyllet me sensacionin global Peggy Gou, DJ dhe producente e superhitit “(It Goes Like) Nanana” dhe shumë hiteve tjera.
Sipas njoftimit, pjesëmarrës do të jenë edhe Artssassin, Bookie, Deezy, që sjellin ritmin urban, Sainté dhe Sienna Spiro, zëra të freskët të hip-hop/alt-pop, Skream, pionier i dubstep-it, Sugar Rush e Tommy Gold, me sete energjike dhe TSHA, që ka ndezur skenat e “Glastonbury” e “Lost Village”. S’duhet humbur as Mygal B2B Edgar Kerri – dyshja me performancë të përbashkët me një nga setet më energjike të këtij edicioni.
Edhe më shumë emra të mëdhenj janë në listë si: Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B., Yanina dhe Zwada, mes tjerëve.