Davide Pecorelli, ish-gjyqtari i futbollit dhe biznesmeni italian i dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Shkodrës, ka dhënë një intervistë për median italiane nga burgu 313 ku ndodhet prej 8 majit, pas ekstradimit nga Italia. Në bisedën për La Nazione, Pecorelli ankohet për kushtet e rënda të paraburgimit, duke përshkruar celinë e tij si të mbipopulluar, pa ujë të rrjedhshëm dhe me praninë e minjve. Ai tregon se ka ndërprerë grevën e urisë pas dy javësh, pasi humbi 6 kilogramë.
Pecorelli thekson se ka marrëdhënie të mira me bashkëvuajtësit dhe se çdo mbrëmje gatuan makarona për ta. Megjithatë, ai pret me padurim të depozitojë rekursin në Gjykatën e Lartë për të kërkuar një masë më të lehtë sigurie, ndërsa Apeli ka caktuar seanca gjyqësore për 18 shtator. Ai shprehet se vendimi i Gjykatës së Apelit për të dorëzuar arsyetimin e vendimit më 31 korrik i ka dhënë shpresë për një përmbysje të mundshme të dënimit.
Pecorelli u bë i njohur në janar 2021, kur inskenoi vdekjen e tij në Pukë, duke djegur një makinë me mbetje skeletore brenda, ndërsa në shtator të po atij viti u shfaq në Itali pranë ishullit Montecristo, ku deklaroi se kishte qenë në kërkim të një thesari. Ai akuzohet për pesë vepra penale dhe u dënua me 4 vite burg, ndonëse prokuroria kishte kërkuar 8. Shkak për veprimin e tij janë borxhet e mbetura pas falimentimit të biznesit të tij në Itali.