
Daniel Cornea, një 53-vjeçar rumun me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit, dyshohet se ekzekutoi me 4 plumba rojen e objektit në Vlorë, Renato Hoxha.
Njoftimi:
Si rezultat i angazhimit profesional të strukturave hetimore dhe operacionale, ditët e fundit, në Vlorë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i vrasjes se shtetasit Renato Hoxha, ndodhur më datë 27.04.2025. Konretisht, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e njërit prej autorëve.
Në vazhdën e punës hetimore për dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, vetëm tre ditë më parë, më datë 01.08.2025, strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Në Gjurmë”, me objekt kapjen e shtetasit Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë, në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Ndaj tij ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për vrasjen e shtetasit Renato Hoxhaj, ndodhur më 27.04.2025, rreth orës 06:20, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës. Viktima u qëllua me armë zjarri, me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend.
Lidhur me këtë ngjarje, falë hetimeve të thelluara dhe analizës së provave të gjetura në vendngjarje, u dokumentua se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona të tjerë. Si rezultat, janë ndërmarrë këto masa:
* Në muajin prill, u ndalua me iniciativë shtetasi E. M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;
* U shpallën në kërkim shtetasi i huaj, me kombësi rumune, D. C., 53 vjeç, me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Për këtë shtetas është lëshuar urdher arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
* Në hetim për këtë vrasje është edhe një shtetas tjetër, me inicialet I. S., 26 vjeç, i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale.
Ndërkohë, janë duke vazhdur me intensitet hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje kriminale në Vlorë dhe në Sarandë. Përfitoj nga rasti të bëj me dije se në Sarandë po vijojnë hetimet e thelluara dhe veprimet operacionale dhe së shpejti do të kemi rezultate konkrete për kapjen e autorëve.