Sëmundja ‘chikungunya’ godet edhe Kinën, regjistrohen mijëra raste me virusin që përhapet nga mushkonjat

3
semundja-‘chikungunya’-godet-edhe-kinen,-regjistrohen-mijera-raste-me-virusin-qe-perhapet-nga-mushkonjat
Sëmundja ‘chikungunya’ godet edhe Kinën, regjistrohen mijëra raste me virusin që përhapet nga mushkonjat

Kina po përballet me një shpërthim serioz të virusit chikungunya, një sëmundje infektive që përhapet përmes pickimeve të mushkonjave. Sipas autoriteteve shëndetësore kineze, mbi 7,000 raste janë regjistruar deri tani vetëm në provincën Guangdong, ku qyteti Foshan është kthyer në epiqendër të infeksionit.

Pamjet e publikuara nga media shtetërore tregojnë pacientët të shtruar në spital, duke fjetur nën rrjeta kundër mushkonjave për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit. Në vetëm një javë janë regjistruar mbi 3,000 raste të reja, çka ka alarmuar autoritetet dhe ka nxitur ndërhyrje emergjente.

Shpërthimi besohet të jetë shkaktuar nga një rast i importuar gjatë muajit korrik, por nuk është bërë e ditur se nga cili vend u soll virusi fillimisht. Ndërkohë, përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në të njëjtën provincë kanë raportuar raste të konfirmuara.

Rasti i parë është shënuar edhe në Hong Kong – një djalë 12-vjeçar i cili kishte vizituar Foshanin dhe më pas kishte shfaqur simptoma si ethe, skuqje dhe dhimbje të kyçeve.

Çfarë është chikungunya?

Chikungunya është një virus i identifikuar për herë të parë në Tanzani në vitin 1952, që tani është përhapur në mbi 110 vende. Ai transmetohet nga mushkonjat e infektuara dhe nuk kalon direkt nga njeriu te njeriu. Simptomat shfaqen zakonisht 4-7 ditë pas kafshimit dhe përfshijnë ethe të larta, skuqje, dhimbje muskujsh dhe ënjtje të kyçeve.

Edhe pse shumica e të infektuarve shërohen brenda një jave, disa mund të vuajnë nga dhimbje të vazhdueshme për muaj të tërë. Aktualisht nuk ka vaksinë të përhapur për këtë virus dhe trajtimi bazohet vetëm në menaxhimin e simptomave.

Vdekjet nga chikungunya janë të rralla, por rritja e shpejtë e rasteve ka shqetësuar autoritetet shëndetësore dhe ka ngritur alarmin për masa të menjëhershme parandaluese.

after content