
Në bulevardin kryesor të Sarandës, mes zhurmës së makinave dhe gjuhëve të përziera që vijnë nga plazhet e mbushura, është e vështirë të besohet se ky qytet ka hyrë në një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit.
Në pamje të parë, gjithçka duket mirë, dhoma të zëna, restorante të mbushura dhe turistë që vijnë me tragete, autobusë apo makina private.
Por, pas kësaj fasade të zhurmshme, operatorët turistikë dhe bizneset e vogla të zonës flasin për një realitet tjetër: më shumë turistë, por më pak konsum.
“Nuk mund ta mohojmë që numri i vizitorëve është rritur, por nuk kemi asnjë ndryshim real në mekanizmin ekonomik. Ka një lloj konsumi, por është kaq i vogël sa nuk bie në sy. Flasim me hotelierët, restorantet, shërbimet e transportit, të gjithë ankohen për të njëjtën gjë”, tha Arben Çipa-përfaqësues i shoqatës se Operatorëve Turistikë.
Të dhënat statistikore e mbështesin këtë perceptim të zymtë. Sipas raportimeve nga sektori privat në periudhën maj–qershor 2025, numri i turistëve të huaj ishte vetëm 3.9% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024 ,një rritje modeste krahasuar me vitet e mëparshme, kur shifrat e rritjes ishin dyshifrore.
Në gushtin e vitit 2024, Saranda përjetoi një rritje 15% në rezervime krahasuar me një vit më parë, por operatorët ekonomikë sërish raportuan konsum të dobët. Këtë vit, numrat jo vetëm që kanë rënë, por edhe përfitimet ekonomike po zbehen nën peshën e informalitetit, shërbimeve të dobëta dhe mungesës së investimeve reale.
Një tjetër shqetësim që po ngrenë bizneset e turizmit janë problemet me pagesat me kartë, të cilat po dëmtojnë rëndë përvojën e turistëve dhe reputacionin e bizneseve.
“Morëm POS me gjithë dëshirë, që t’u shërbejmë turistëve. Por këtu ndodh që pajisja ndalon punën në mes të natës. Nuk mund t’i thuash turistit të presë një orë pas mesnate derisa të rregullohet sistemi.”
Një tjetër biznes konfirmon se ka raste kur klientët largohen pa paguar, ose ndihen të fyer që nuk mund të përdorin kartën.
“Edhe kur janë të kënaqur me ushqimin apo shërbimin, largohen të mërzitur. Ka pasur raste që kanë lënë fjalë të këqija online vetëm për shkak të këtij problemi.”
Ardit Cikuli ekspert i sistemit bankar shpjegon se ndërprerjet e natës mund të lidhen me mirëmbajtjen teknike të sistemeve bankare, apo mënyrën se si ruhen të dhënat.
“Nuk ndodh nga mungesa e dëshirës së bankave, por është çështje përshtatjeje me realitetin e tregut. Dhe ky realitet ka ende shumë boshllëqe.”
Shtresa tjetër e problemit është informaliteti që Çipa e quan “i ulur këmbëkryq në çdo drejtim”
“Transport, guida të paautorizuara, shërbime detare informale, madje edhe individë që ofrojnë akomodim apo ushqim pa asnjë standard e pa licencë. Task-forcat kontrollojnë vetëm ata që janë të ligjëruar. Ndërsa paligjshmëria nuk preket. Kjo është absurde.”
Në kulmin e sezonit turistik, Saranda përballet me një mospërputhje mes rritjes së vizitorëve dhe konsumit real, ndërsa sfida si informaliteti, problemet me pagesat dhe shërbimet nën standard kërkojnë reflektim të menjëhershëm nga sektori privat dhe autoritetet për të garantuar qëndrueshmërinë e turizmit.