Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në Fier, ku dy persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti me thikë.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 21:40, në spitalin e Fierit janë paraqitur për ndihmë mjekësore A. M., 28 vjeç dhe L. S..
Të dy dyshohet se janë përfshirë në një konflikt fizik me njëri-tjetrin, gjatë të cilit janë goditur me mjet prerës (thikë).
Ende nuk dihen shkaqet e saktë të përplasjes, por burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet mundësia e përfshirjes së personave të tjerë në këtë ngjarje.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje dhe në spital kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë marrë dëshmitë e para dhe po mbledhin prova për të zbardhur dinamikën.
Grupi hetimor është duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat, për të përcaktuar rolin e secilit të përfshirë si dhe për të identifikuar e ndaluar personat e tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në konflikt.
Burime spitalore bëjnë me dije se të plagosurit po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. /noa.al