Reagon avokatja e Drilonit Ramës: Vendimi i AIP-së nuk përbën “fitore” për Xhenetën

4

Avokatja e Drilon Ramës, Bederie Berisha Rexhepi ka bërë një reagim publik në rrjetet sociale pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Ajo pohoi se vendimi nuk përbën në asnjë mënyrë “fitore” për Xheneta Fetahun. Përkundrazi sipas saj, vendimi e përcakton atë si kontrolluese të të dhënave personale.

“Ky vendim, në asnjë mënyrë, nuk përbën “fitore” për znj. Xheneta Fetahu. Përkundrazi, ai e përcakton atë si kontrolluese të të dhënave personale që ajo vetë ka pranuar se i ka incizuar dhe ka kërcënuar publikisht me publikimin e tyre – veprime që përbëjnë cenim të rëndë të integritetit personal dhe të privatësisë së z. Drilon Rama. Vendimi nënvizon gjithashtu se znj. Fetahu është informuar për bazën ligjore të nevojshme për publikimin e çfarëdo materiali, të cilën ajo nuk e ka paraqitur, si dhe për pasojat ligjore që mund të pasojnë në rast publikimi të bisedave”, ka shkruar avokatja Rexhepi në postimin e saj.

“Në asnjë pjesë të këtij vendimi nuk konstatohet se znj. Fetahu ka vepruar në përputhje me ligjin. Përkundrazi, fakti që ajo trajtohet si kontrolluese e të dhënave përforcon dyshimet mbi keqpërdorimin dhe kërcënimin e mundshëm për publikim të këtyre të dhënave”, pohoi ajo.

Avokatja mes tjerash shtoi se Driloni mbetet i vendosur që të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në mbrojtje të të drejtës së tij për privatësi dhe dinjitet, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.