Familjarët dhe kolegët përcjellin në banesën e fundit 5 gazetarët e vrarë në Gaza

3
familjaret-dhe-koleget-percjellin-ne-banesen-e-fundit-5-gazetaret-e-vrare-ne-gaza
Familjarët dhe kolegët përcjellin në banesën e fundit 5 gazetarët e vrarë në Gaza

Korrespondentët Anas Al-Sharif dhe Mohammed Qreiqeh, operatorët e kamerës Ibrahim Zaher dhe Moamen Aliwa, si dhe asistenti i tyre Mohammed Noufal humbën jetën pas një sulmi me bombë në një tendë pranë Spitalit Al Shifa në Gaza.

Në Gaza u zhvillua funeral për pesë gazetarët e Al Jazeera-s, të cilët u vranë në një sulm ajror izraelit të dielën në mbrëmje, ndërsa OKB-ja e cilësoi këtë si një “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”.

Ushtria izraelite e mbrojti sulmin, duke pretenduar se më i njohuri nga grupi, Sharif, ishte kreu i një qelize terroriste të Hamasit dhe vetëm “u paraqiste si gazetar” — pretendime të cilat janë mohuar vazhdimisht nga vetë Sharif, Al Jazeera dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

Një zëdhënës i IDF shtoi se ai ishte paguar si nga Hamasi, ashtu edhe nga Al Jazeera, dhe se kishte publikuar vetëm një “pjesë të vogël, të deklasifikuar” të inteligjencës së tyre.

Një gazetar i gjashtë — një i pavarur i quajtur Mohammad al-Khaldi — u vra gjithashtu në sulm, thanë mjekët e Spitalit Al Shifa për Reuters.

Al Jazeera e cilësoi vrasjen e gazetarëve të saj si një “vrasje të qëllimshme”, duke i përshkruar punonjësit e saj si disa nga “zërat e fundit të mbetur brenda Gazës”.

“Rrjeti Mediatik Al Jazeera dënon me fjalët më të ashpra vrasjen e qëllimshme të korrespondentëve të tij… nga forcat pushtuese izraelite, në një tjetër sulm të hapur dhe të paramenduar kundër lirisë së shtypit”, deklaroi transmetuesi.

“Ky sulm vjen mes pasojave katastrofike të ofensivës së vazhdueshme izraelite në Gaza, e cila ka sjellë masakrimin e pamëshirshëm të civilëve, urinë e detyruar dhe zhdukjen e komuniteteve të tëra.

“Urdhri për të vrarë Anas Al-Sharif, një nga gazetarët më të guximshëm të Gazës, dhe kolegët e tij, është një përpjekje e dëshpëruar për të heshtur zërat që ekspozojnë pushtimin dhe izolimin e skajshëm të Gazës.”

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dënoi vrasjen e pesë gazetarëve dhe kërkoi që ajo të hetohet.

Një zëdhënës i tij deklaroi në një konferencë për shtyp: “Këto vrasje të fundit nxjerrin në pah rreziqet ekstreme me të cilat përballen gazetarët që mbulojnë këtë konflikt të vazhdueshëm.”

“Sekretari i Përgjithshëm bën thirrje për një hetim të pavarur dhe të paanshëm për këto vrasje.”

Ai shtoi se “të paktën” 242 gazetarë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dënoi vrasjet më herët të hënën, duke e cilësuar sulmin izraelit si një “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor dhe vranë 1.200 persona, duke marrë 251 pengje, sipas të dhënave zyrtare izraelite.

Nga 50 pengjet që ndodhen ende në Gaza, autoritetet izraelite thonë se 20 janë ende gjallë. Ofensiva izraelite ka shkaktuar vdekjen e mbi 61.000 palestinezëve, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi.

Kjo ngjarje ndodh në një kohë kur gazetarë të njohur nga mediat ndërkombëtare vijojnë t’u bashkohen thirrjeve për qasje në Gaza, e cila është bllokuar nga Izraeli gjatë gjithë luftës.

Të dielën, i dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour, tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duhet të lejojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hyjë në Gaza.

“Merrni me vete gazetarët, në mënyrë që të verifikoni saktësisht çfarë po ndodh në Gaza”, u shpreh ai.

after content