‘Fiket’ Shkëndija, Qarabag e përmbys 5-1 dhe e eliminon nga Champions! Klubi shqiptar mëson rivalin në Europa League

2
‘fiket’-shkendija,-qarabag-e-permbys-5-1-dhe-e-eliminon-nga-champions!-klubi-shqiptar-meson-rivalin-ne-europa-league
‘Fiket’ Shkëndija, Qarabag e përmbys 5-1 dhe e eliminon nga Champions! Klubi shqiptar mëson rivalin në Europa League

Aventura e Shkëndijës në Champions League përfundoi mbrëmë në Baku, ku kampionët e Maqedonisë së Veriut u mposhtën thellë 5-1 nga Qarabagu, në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke kaluar në epërsi në minutën e 10-të me golin e Fabrice Tambës pas një asisti të Besart Ibraimit. Por gëzimi zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi një autogol i Klinsman Cakës dhe goli i shpejtë i Kadi Borges kthyen avantazhin për vendasit. Qarabagu shtoi presionin dhe brenda pak minutash realizoi edhe dy gola të tjerë me Akunzaden dhe Jankoviç (nga penalltia), duke mbyllur pjesën e parë 4-1.

Në pjesën e dytë, Leandro Andrade shënoi golin e pestë, duke ‘vulosur’ një kualifikim të qetë për azerbajxhanasit. Tanimë Shkëndija do të vazhdojë rrugëtimin europian në fazën ‘play-off’ të Europa League, ku do të përballet me Ludogoretsin e Bullgarisë. Ndeshja e parë do të luhet në Bullgari (21 gusht), ndërsa e kthimit në Shkup. Vlera e skuadrës bullgare vlerësohet në rreth 51 milionë euro.

after content