
Presidenti Donald Trump reagoi të dielën pas spekulimeve në rrjetet sociale për shëndetin e tij, duke deklaruar se “nuk është ndjerë kurrë më mirë” dhe duke e shfrytëzuar rastin për të theksuar sukseset në uljen e krimit në Uashington D.C.
Pas një fundjave të qetë në resortin e tij të golfit në Virxhinia, Trump u rikthye në platformën Truth Social, ku shkroi me tone triumfuese: “NUK JAM NDJERË KURRË MË MIRË NË JETËN TIME. Gjithashtu, Uashingtoni ËSHTË NJË ZONË PA KRIM!”
Komentet e tij vijnë pas ditësh spekulimesh, madje edhe me hashtagun “TrumpIsDead” që u bë trend në X, për shkak të mungesës së shfaqjeve publike dhe një orari bosh të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Megjithatë, thashethemet u hodhën poshtë të shtunën, kur presidenti u pa duke luajtur golf me mbesën e tij, në Sterling të Virxhinias.
Në të njëjtën kohë, të dhënat zyrtare tregojnë se krimi i dhunshëm në kryeqytet ka rënë me 45% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa krimi i përgjithshëm ka shënuar ulje me 15%. Kryetarja demokrate e qytetit, Muriel Bowser, pranoi përmirësimet dhe e lidhi këtë me shtimin e forcave policore në terren.Pas sqarimit për shëndetin e tij, Trump vijoi në Truth Social me mesazhe festive për Ditën e Punës, duke lavdëruar edhe gjendjen e ekonomisë amerikane./NewYorkPost