
Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së sotme pranë Shkollës së Muzikës në Fier, ku një këmbësor u përplas nga një automjet tip “Range Rover”.
I aksidentuari është identifikuar Kreshnik Tomani, 35-vjeç, baba i tre fëmijëve.
Sipas dëshmive, ai ishte duke kaluar rrugën kur u godit nga automjeti që drejtohej nga një 17-vjeçar, i cili qarkullonte pa leje drejtimi. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe i ka shkaktuar plagë të rënda.
Menjëherë pas ngjarjes, Tomani u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Fierit, por për shkak të gjendjes së rëndë u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Mjekët konfirmojnë se ai ndodhet në gjendje kome dhe i intubuar, duke luftuar për jetën.
Policia e Fierit ka shoqëruar adoleshentin që drejtonte mjetin dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.