Aktori Vis Pupa shpallet në kërkim, bashkëshortja para drejtësisë

3

Belina Pupa, emër i njohur në rrjetet sociale dhe media si promovuese e mirëqenies mendore, është vënë në qendër të një hetimi penal serioz në Australi.

Ajo po përballet me akuza për kultivim të një sasie të madhe kanabisi dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike – akuza këto që mund të sjellin pasoja të rënda ligjore.

Terapistja, e cila ka mbi 80 mijë ndjekës dhe është bashkëshortja e aktorit të njohur shqiptar Elvis Pupa, doli përpara Gjykatës së Magjistraturës në Adelaide këtë të martë. Deri tani, Belina nuk ka paraqitur ndonjë deklarim fajësie për akuzat që i bëhen.

Sipas dokumenteve zyrtare, ngjarja e dyshuar ka ndodhur në periudhën nga 1 janari deri më 4 prill 2025 në një pronë të ndodhur në Ascot Park. Policia australiane ka zbuluar atje plot 43 bimë kanabisi, një shifër që e klasifikon rastin si “kultivim me përmasa të konsiderueshme”.

Avokati i saj kërkoi ndryshim të kushteve të lirimit me kusht, duke theksuar se Belina ka angazhime ndërkombëtare dhe udhëton rregullisht drejt Shqipërisë, ku ofron shërbime terapeutike edhe në televizion. “Klientela e saj shtrihet në Shqipëri, SHBA dhe Australi. Pupa kalon rreth tre muaj në vit në Shqipëri për arsye pune”, deklaroi ai.

Por prokuroria reagoi ashpër ndaj kësaj kërkese, duke e konsideruar rastin “të rëndë” dhe duke ngritur shqetësime të mëdha pasi bashkëshorti i saj, aktori Vis (Elvis) Pupa, që është bashkë i akuzuar në këtë çështje, është larguar nga Australia dhe aktualisht ndodhet në kërkim.

Seanca u shty për javën e ardhshme, ndërkohë që Belina Pupa do të vijojë të qëndrojë në liri me kusht.

Kjo çështje ka shkaktuar tronditje në komunitetin shqiptar të diasporës, ku Belina njihet për angazhimet e saj publike dhe mesazhet pozitive për shëndetin mendor, shpesh të promovuara përmes platformave televizive dhe sociale.