
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka nisur një hetim penal në lidhje me një skemë të dyshuar investimesh piramidale TXEX, e cila operon përmes platformave online dhe synon përfitime të paligjshme nga qytetarët.
Hetimet po zhvillohen nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në bashkëpunim me Drejtoria e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal nga ana e qytetarëve, duke u kërkuar që të shmangin aplikimin apo përfshirjen në platforma që premtojnë fitime të menjëhershme, por që nuk janë të verifikuara apo të licencuara.
Njoftimi:
Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po vijojnë intensivisht veprimet hetimore dhe operacionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive që zhvillohen online, për të përfituar para nga qytetarët.
Në këtë kuadër, ju informojmë se Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, bazuar në informacionet e siguruara, ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe po vijon punën intensive për dokumentimin ligjor.
Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.
Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP.