Itali- Një 40-vjeçar shqiptar i dyshuar si kreu i një grupi të trafikut të drogës është arrestuar brenda në shtëpinë e tij në Romë, të cilën e kishte kthyer në një laborator narkotikësh, edhe pse ishte në arrest shtëpiak.
Ai u pikas pas një bastisjeje në kompleksin e banesave Bastogi në zonën Primavalle. Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan mbi 1 kg lëndë narkotike kokainë dhe 5000 euro cash.
Policia ndërhyri pasi siguroi informacione për lëvizjet e dyshimta të shqiptarit, i cili thyente masën e sigurisë dhe madje i priste klientët e tij deri brenda ambienteve.
Për t’u ruajtur nga oficerët ai kishte aktivizuar një rrjet mbikëqyrjeje. Për t’u lidhur me klientët ai shfrytëzonte një daljeje emergjente të ndërtesës.
Oficerët përdorën edhe qentë antidrogë për kontroll, teksa zbuluan kokainë dhe ketaminë, që u gjetën midis kuzhinës dhe dhomës së gjumit. Oficerët zbuluan gjithashtu një laborator të vërtetë droge, të pajisur me peshore precize, pajisje dhe deri sodë buke që përdorej për prerjen apo përzierjen e lëndës narkotike.
Por nuk mbaron këtu. Si provë u sekuestruan edhe dy telefona celularë të koduar, të cilët me shumë gjasa janë përdorur për të koordinuar shitjet dhe dërgesat. Hetuesit gjetën gjithashtu një bllok të plotësuar me dorë, që regjistronte transaksionet: emrat e koduar, sasitë e shitura dhe borxhet e papaguara. Faqet e regjistrit raportuan transaksione që arrinin në dhjetëra mijëra euro, duke konfirmuar xhiron e lartë të trajtuar nga trafikanti i drogës.
Pas arrestimit, shqiptari u mbyll në burgun Regina Coeli, ku aktualisht është në pritje të gjyqit, informon media italiane.
Zona ku u bë operacioni njihet si ndër më problematiket në periferi të Romës, për aktivitetin e grupeve kriminale në fushën e drogës.