Arrestimi i ish-kreut të FRPD Kavajë/ E shkuara e babait të Kid Kazazit, nga shitja e makinës që u përdor në vrasje, te prangosja si dëshmitar në gjyq

3
arrestimi-i-ish-kreut-te-frpd-kavaje/-e-shkuara-e-babait-te-kid-kazazit,-nga-shitja-e-makines-qe-u-perdor-ne-vrasje,-te-prangosja-si-deshmitar-ne-gjyq
Arrestimi i ish-kreut të FRPD Kavajë/ E shkuara e babait të Kid Kazazit, nga shitja e makinës që u përdor në vrasje, te prangosja si dëshmitar në gjyq

Kid Kazazi 30 vjeç nga Kavaja, dikur kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në këtë qytet, u arrestua të premten pasi ishte shofer i makinës ku u kap Ferhat Kaja, pronar i lokal ‘Stockoholm’ në Tiranë, që dhunoi pak javë më parë pronarin e lokalit Tokyo.

Vetë Kazazi ishte person i shpallur në kërkim 3 muaj për një atentat të mbetur në tentativë, pasi qëlloi me armë ndaj makinës në lëvizje në Fllakë të Durrësit ku udhëtonte Arbër Goreja 36 vjeç me dy fëmijët 14 e 15 vjeç. 36-vjeçari mbeti i plagosur, ndërsa të miturit fatmirësisht nuk pësuan lëndime. Shkak i asaj ngjarje ishte një sherr mes Arbër Goreja dhe babait të Kid Kazazit. Goreja e kishte goditur me grusht Eqerem Kazazin (babai i Kid Kazazit) dhe i biri ishte betuar se nuk do t’ja falte 36-vjeçarit.

Por vetë babai i Kid Kazazit, Eqerem Kazazi, rezulton të jetë një person që ka patur probleme me drejtësinë. Dikur ai ka qenë dëshmitar në një proces gjyqësor në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda kundër të pandehurve të Bandës së Durrësit, për një vrasje të dyfishtë dhe plagosje në vitin 1998.

Bëhet fjalë për vrasjen e Viron Currit dhe Arjan Pajës, e plagosjen e Marsel Sotirit në vitin 1998 në Rrashbull të Durrësit. Ndërkohë, një vit më vonë, në vitin 1999, u eliminua edhe Marsel Sotiri.

Eqerem Kazazi u arrestua në vitin 2012 me urdhër të prokurorit Anton Martini për shkak të ndryshimit të deklarimeve të tij të dhëna në datat 8 prill e 16 maj 2006 në cilësinë e dëshmitarit. Në momentin e shoqërimit nga agjentët e policisë në atë periudhë, Kazazi shprehu habinë për arrestimin, duke u justifikuar me fjalët: “Nuk i mbaj mend ato që kam thënë se kanë kaluar disa vite”.

Eqerem Kazazi ishte thirrur në Gjykatën e Krimeve të Rënda në atë kohë si dëshmitar në vrasjen e shtetasit Marsel Sotiri. Mirëpo për këtë akuzë, çështja ndaj Kazazit u pushua për shkak të amnistisë së shpallur nga parlamenti.

Në 2006, Eqerem Kazazi kishte pranuar njohjen me Lulëzim Berishën nëpërmjet një mikut të vëllait të tij. Po kështu ai kishte pranuar se i kishte shitur makinën “Volkswagen Golf 2”, Ermir Dervishit, për 2 milionë lekë të vjetra. Makina “Golf 2” rezulton të ishte përdorur në atentatin e parë ndaj Marsel Sotirit, ku ai mbeti i plagosur, dhe ku u vranë shokët e tij Viron Curri e Arjan Paja.