Policia ka arrestuar në flagrancë një taksist 62-vjeçar, i cili mbante armë zjarri në makinën tip “Benz” teksa lëvizte në rrugën “Mine Peza”.
Report Tv mëson se 62-vjeçari i identifikuar si Ramiz Bami, kishte për qëllim ta shiste armën automatike që iu gjet në makinë.
Sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit, krehri, fishekët dhe automjeti i të arrestuarit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të hetimeve dhe kontrolleve, me objektiv goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, finalizuan operacionin “Blic”, gjatë të cilit vunë në pranga shtetasin R. B., 62 vjeç, banues në Tiranë.
Ai u kap në flagrancë, në rrugën “Mine Peza”, duke lëvizur me një automjet tip “Benz”, në të cilin mbante dyshohet me qëllim shitjen, 1 armë zjarri automatike me municion”,- njofton policia.
Blutë njoftojnë se vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë personat e përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.