Arta Bajrami sqaron letrën e hapur ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit: Nuk ka ngjyrim politik, bëhet fjalë për jetën e fëmijëve tanë

1
arta-bajrami-sqaron-letren-e-hapur-ndaj-albin-kurtit-dhe-vjosa-osmanit:-nuk-ka-ngjyrim-politik,-behet-fjale-per-jeten-e-femijeve-tane
Arta Bajrami sqaron letrën e hapur ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit: Nuk ka ngjyrim politik, bëhet fjalë për jetën e fëmijëve tanë

Pas letrës së hapur drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, këngëtarja e njohur Arta Bajrami ka bërë një tjetër reagim, duke sqaruar se qëllimi i saj nuk ka qenë politik, por thjesht human dhe qytetar.

Në një postim të publikuar sot, Bajrami shkruan se disa individë e kanë interpretuar gabimisht letrën e saj, duke e parë atë si të drejtuar vetëm ndaj një partie.

“Dua ta sqaroj qartë: letra ime nuk ka pasur kurrfarë ngjyrimi politik. U drejtova Kryeministrit dhe Presidentes sepse ata janë krerët më të lartë të shtetit dhe mbajnë përgjegjësi institucionale”, thekson ajo.

Bajrami nënvizon se qëllimi i vetëm i saj është miratimi i ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta dhe mbështetja e projekteve që u shërbejnë atyre. “Ky ligj duhet të votohet pavarësisht se kush është në pushtet, sepse nuk ka të bëjë me interesa partiake, por me jetën e fëmijëve tanë dhe dinjitetin e familjeve të tyre,” shkruan ajo.

Duke theksuar se nuk po merret me politikë, këngëtarja shprehet se po e ngre zërin si nënë, si qytetare dhe si përfaqësuese e shumë familjeve që përballen me sfida të ngjashme.

Ky reagim vjen një ditë pas letrës së saj të hapur, ku kritikoi klasën politike për krizën e zgjatur institucionale në Kosovë dhe kërkoi miratimin urgjent të ligjit për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe mbështetjen për projektin e humanistit Halil Kastrati.