
Babai i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, njëkohësisht dhe muzikant i grupit legjendar “ODA”, Dukagjin Lipa ka folur për herë të parë lidhur me fotografinë e shumëpërfolur të vajzës së tij, ku ajo shihet duke pirë cigare.
Në një intervistë për emisionin “Pushime On Top”, ai u pyet nëse e shqetëson fakti që Dua konsumon cigare, apo nëse këtë e sheh si pjesë të jetës së saj artistike.
“Dua nuk e pinë cigaren para koncertit. As alkool nuk pinë, as cigare nuk pinë – kur jemi në turne nuk pinë. Kur është në pushim, pi”, u shpreh ai.
Më tej, Dukagjin Lipa shtoi se nuk është e drejtë të paragjykohet një artiste për zgjedhje personale, sidomos kur bëhet fjalë për një person të rritur dhe të pavarur.
“Nuk e besoj që në shekullin 21 ka rëndësi nëse je shqiptar apo amerikan. Nëse vajza jote i ka 29-30 vjet, çfarë të drejte ke t’i thuash ‘pi’ ose ‘mos pi’?”, tha ai.
Reagimi i tij erdhi pas një sërë komentesh në rrjetet sociale, ku ndjekës të ndryshëm shprehën habi apo zhgënjim ndaj fotove të Duas me cigare.