Belgjika njeh shtetin palestinez, kryeministri belg: Ne mbështesim të drejtën ndërkombëtare

2

Pas Francës dhe Britanisë, edhe Belgjika ka njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës. Kryeministri belg deklaroi në OKB se kjo është në mbështetje të të drejtës ndërkombëtare dhe vetëvendosjes.

Belgjika është rreshtuar zyrtarisht krah vendeve që njohin shtetin palestinez, duke mbështetur përpjekjet për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez. Lajmi u bë i ditur të hënën nga kryeministri belg Bart de Vives, gjatë një konference të mbajtur në Nju Jork, e thirrur nga Franca dhe Arabia Saudite për të promovuar zgjidhjen me dy shtete.

“Përmes kësaj iniciative, ne vazhdojmë të mbështesim të drejtën ndërkombëtare, në veçanti të drejtën e popujve për vetëvendosje”, deklaroi De Vives.

Ai shtoi se zgjidhja me dy shtete “nuk ka vdekur”, por ndodhet në një moment delikat.

Dje ishte Franca ajo që bëri lëvizjen historike, duke njohur zyrtarisht shtetin palestinez. Presidenti Emmanuel Macron, në të njëjtën konferencë në OKB, deklaroi se kjo është “zgjidhja e vetme që do t’i lejojë Izraelit të jetojë në paqe”, ndërsa e quajti këtë njohje “një humbje për Hamasin”.

“Duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ruajtur vetë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete, me Izraelin dhe Palestinën që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, tha Macron.

Ai shtoi se operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza po shkaktojnë një krizë të thellë humanitare:

“Qindra mijëra njerëz janë zhvendosur, plagosur, po vdesin nga uria dhe janë të traumatizuar psikologjikisht”, tha presidenti francez.

Sipas të dhënave nga OKB-ja, tashmë 155 vende nga 193 anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez.

Në konferencën e Nju Jorkut, që u bashkëorganizua nga presidenti francez Macron dhe princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman, pritet që edhe vende të tjera ta ndjekin këtë hap, përfshirë:
• Luksemburgun
• Andorrën
• San Marinon
• Maltën

Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në nivele të larta, me komunitetin ndërkombëtar që përpiqet të ringjallë zgjidhjen diplomatike të konfliktit.