
Mesfushori portugez, Bruno Fernandes ka thënë se do të ishte i gatshëm të largohej nga Manchester United nëse nuk është më i mirëpritur në klub.
Humbja nga Tottenhami në finalen e Ligës së Evropës ka lënë shije të hidhur te United, por mund të ketë edhe një efekt negativ në ekip, ku drejtuesit mund të detyrohen të shesin lojtarë.
“Gjithmonë kam qenë i ndershëm”, ka thënë fillimisht kapiteni i ekipit pas humbjes 1-0 të United ndaj Tottenham Hotspur në finalen e Ligës së Evropës.
“Nëse klubi mendon se është koha të ndahemi sepse dëshiron të fitojë para ose diçka të tillë, kështu është. Futbolli ndonjëherë është kështu”.
“Gjithmonë kam thënë se do të jem këtu derisa klubi të më thotë se është koha për t’u larguar. Jam i etur të bëj më shumë, që të jem në gjendje ta çoj klubin në ditët e mëdha”.
“Ditën që klubi mendon se jam i tepërt ose është koha të ndahemi, futbolli është kështu, nuk e di kurrë. Por unë gjithmonë e kam thënë dhe e mbaj fjalën time në të njëjtën mënyrë”, përfundoi Fernandes.
Ndryshe, United dështoi të shpëtojë sezonin më të dobët në historinë e tyre të kohëve të fundit, duke humbur në Bilbao për t’i dhënë Tottenhamit trofeun e parë në 17 vjet.
Fakti që ata nuk do të jenë në Ligën e Kampionëve do ta bëjë rindërtimin e skuadrës së United më të vështirë, pasi nuk ka aq shumë fonde në dispozicion. Si rezultat, do të duhet të merren disa vendime të vështira në lidhje me lojtarët aktualë.