
Kryeministri Edi Rama sqaroi se programi i “rilindjes urbane 2.0” do të jetë një proces i gjatë, që do të zgjasë katër vite dhe nuk është një aksion i përqendruar vetëm në sezonin turistik.
“Ky proces do të jetë konstant. Nuk është një aksion, nuk është një sulm veror dhe ata që thonë ‘pse nuk e lije dot për në dimër’, iu them jo, nuk e linim dot për në dimër,” tha Rama.
Ai theksoi se puna për ndërtimet pa leje nuk ka asnjë lidhje me turistët dhe sezonin turistik. “Jo, po se kemi turistët nëpër këmbë, mos kini asnjë merak, se çështja e turistëve nuk lidhet me këtë,” shtoi Rama.
Megjithatë, kryeministri paralajmëroi se në shtator do të flitet hapur për disa problematika të industrisë turistike, përfshirë strategjitë e investimeve dhe çmimet.
“Një pjesë e industrisë nuk po mendon strategjikisht, po mendon vetëm kap ça të kapësh sot dhe praktikisht po i bën gropën vetes për nesër, pasi investimet që po bën nuk do të mund t’i shlyejë dhe as do të mund t’i kthejë në investime të qëndrueshme për fëmijët nëse sot vendos çmime të cilat do të hapin me shumë shpejtësi fjalën që është shumë shtrenjtë në Shqipëri,” theksoi Rama.
Ai përmendi edhe përparimet e bërë në plazhe këtë vit dhe premtoi masa radikale për vitin e ardhshëm, me forcim të rolit të bashkive.
“Do të marrin masa radikale edhe me plazhet për vitin e ardhshëm, ku bashkitë do të marrin shumë më tepër forcë, por ama shkundja e bashkive sot është një domosdoshmëri që të gjitha gjërat të shkojnë shumë më mirë nesër,” tha kryeministri.