Deputeti i zgjedhur i Ramës, me dy dosje në SPAK/ Drejt burgut apo drejt Parlamentit?!

1
deputeti-i-zgjedhur-i-rames,-me-dy-dosje-ne-spak/-drejt-burgut-apo-drejt-parlamentit?!
Deputeti i zgjedhur i Ramës, me dy dosje në SPAK/ Drejt burgut apo drejt Parlamentit?!

Janë dy kallëzime të njëpasnjëshme të bëra ndaj Agron Malajt, ish-kryetari i Bashkisë së Matit, deputet, tashmë i zgjedhur, i Qarkut të Dibrës. Agron Malaj ka dy dosje të rënda penale, të cilat hetohen intensivisht nga SPAK-u.

Sipas të dhënave dhe burimeve zyrtare të siguruara nga CNA, kallëzimi i parë është bërë vitin e kaluar dhe në muajin shtator në një përgjigje zyrtare të kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, drejtuar kallëzuesve, thuhet se ishte regjistruar një çështje penale në lidhje me kallëzimin nr.273/2023 e bërë ndaj personave Erion Veliaj, Agron Malaj, Fatos Malaj dhe Elvin Tivari. Kjo është një çështje që nuk ka lidhje me hetimet që janë kryer për shtetasin Erion Veliaj nga prokurori Ols Dado dhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.

Më pas një tjetër kallëzim është bërë ndaj Agron Malajt, pak para zgjedhjeve, por më i rëndësishëm është hetimi i regjistruar një vit më parë. Kallëzuesit pretendojnë se Agron Malaj dhe kompanitë e tij kanë përfituar rreth 5.4 milionë euro tenderë, nga institucionet e ndryshme në Qarkun e Dibrës dhe kryesisht në Bashkinë e Matit, nëpërmjet kompanisë “Global Security”. Gjithashtu SPAK-u ka thelluar hetimet dhe në lidhje me shtetasit Fatos Malaj dhe Elvin Tivari, të cilët shpesh janë akuzuar për lidhjet e tyre të forta me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, me famozen dosje “5D”.

CNA ka mundur të sigurojë të dhëna zyrtare për kallëzimin e bërë ndaj shtetasit Agron Malaj dhe shtetasve të sipërpërmendur.

Tashmë jemi përpara faktit: A do të arrestohet Agron Malaj për veprat e rënda dhe dy kallëzimet që janë bërë apo do të shkojë deputet? Kjo lidhet edhe me faktin se pak ditë më parë, me daljen e përgjimeve të Erion Veliajt, thuhej se Agron Malaj ishte kandiduar për deputet për t’i shpëtuar SPAK-ut, por deri në momentin e betimit në Parlament, Agron Malaj nuk ka imunitet dhe SPAK-u vazhdon ta hetojë në mënyrë intensive për të shkuar drejt zbardhjes së të vërtetës.

Kujtojmë se Agron Malaj ka qenë ish-komandant i grupit të zjarrit më 21 janar. Ky person njihet edhe për lidhjet e tij të ngushta me Pëllumb Gjokën e dosjes famoze “Metamorfoza”.

Sipas të dhënave zyrtare dhe informacioneve të asaj kohe, pas 21 janarit, Pëllumb Gjoka është parë në afërsi të madhe me Agron Malajn dhe dyshohet se Gjoka ka qenë lidhja e ish-gardistit me socialistët.

CNA ka mundur të sigurojë jo vetëm kallëzimet, por edhe të dhënat nga institucionet ku SPAK-u ka kërkuar informacion dhe po zhvillon hetimet intensive në lidhje me veprat penale, për të cilat dyshohet se është përfshirë Agron Malaj, vëllai i tij Fatos Malaj, Elvin Tivari, në bashkëpunim ose jo me shtetasin Erion Veliaj, por kryesisht dhe me njëri-tjetrin, për përfitime të siguruara.

Kjo për shkak të detyrës së Agron Malajt dhe si kryebashkiak, por edhe për shkak të një skeme tjetër ku dyshohet se drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe vetë Agron Malaj nëpërmjet kompanisë “Global Security” dhe bizneseve të tjera, shkëmbenin tenderë me njëri-tjetrin, sa në Bashkinë e Tiranës, sa në atë të Matit.

CNA do të vazhdojë të publikojë të dhëna ekskluzive, të cilat do të zbërthejnë kompanitë e Agron Malajt dhe vëllait të tij, Fatos Malaj, “Global Security”, “La Brissa” etj., si dhe për t’i shkuar deri në fund faktit: A do ta shohim Agron Malajn deputet apo atij do t’i hidhen prangat para se të marrë mandatin e deputetit?! / CNA

after content