
Dalin në dritë detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e 4 shtatorit në qendër të Shkodrës, ku u vra me armë zjarri Kristian Kola, 34 vjeç. Sipas burimeve të para hetimore, dyshohet se kemi të bëjmë me një ekzekutim mafioz të kryer nga vrasës me pagesë.
Burime nga policia bëjnë me dije se dy autorë, të cilët lëviznin me një motor, e kanë ndjekur dhe vrojtuar viktimën për një kohë të gjatë, përballë një lokali pranë zonës së Kinemasë, ku ai po qëndronte.
Fillimisht, Kola ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë, ndërsa autorët janë parë të bëjnë një xhiro vëzhguese përreth zonës. Më pas janë kthyer në pikën e tyre të vëzhgimit, por kanë pritur momentin kur viktima mbeti vetëm.
Në momentin që dy shokët e tij u larguan dhe Kristian Kola po afrohej për të marrë makinën, autorët janë afruar dhe e kanë qëlluar disa herë me armë zjarri me silenciator, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Sipas hetimeve paraprake, njëri prej autorëve ka zbritur nga motori, ka kryer ekzekutimin dhe më pas është larguar sërish me motorin së bashku me bashkëpunëtorin. Për shkak se arma dyshohet se ka qenë me silenciator, të shtënat nuk janë dëgjuar nga banorët apo kalimtarët në zonë.
Policia dyshon se i njëjti motor është përdorur nga autorët edhe dy net më parë në zonën e Bardhajve, ku është vërejtur një ndjekje e dyshimtë ndaj viktimës, por nuk është arritur të identifikohet apo ndalohet. Gjithsesi, hetuesit po verifikojnë nëse bëhet fjalë për të njëjtin mjet apo për një tjetër.
Kush ishte Kristian Kola
Së bashku me të atin, Kristian Kola zotëronte një firmë ndërtimi, ndërsa kohët e fundit po punonin për shtrimin e pllakave në rikonstruksionin e Kinemasë së qytetit.
Sipas burimeve, para rreth një viti e gjysmë, Kola ka pasur një konflikt për motive të dobëta, i cili është konsideruar i mbyllur dhe nuk përbën aktualisht pistë hetimi për policinë. Gjithashtu, ai kishte udhëtuar jashtë vendit dy herë për periudha të shkurtra, por nuk rezulton të jetë përfshirë në ndonjë konflikt gjatë qëndrimeve të tij jashtë Shqipërisë.