Marko Ljubisa, i njohur me nofkën Kan, është plagosur sot në zonën e pishinës së një hoteli në fshatin Przno të Budvas, pasi u qëllua me armë zjarri nga një person ende i paidentifikuar.
Dëshmitarë okularë kanë parë të gjithë ngjarjen, kur autori iu afrua objektivit dhe qëlloi disa herë më pistoletë në drejtim të tij. Sipas informacioneve paraprake, Kan ndodhej më herët në shoqëri me persona të tjerë, por sapo ka mbetur i vetëm, u qëllua me armë nga autori, i cili po e vëzhgonte.
Marko Ljubisa, është drejtuesi i një bande kriminale në Mal të Zi. Ai ka marrë plagë që nuk paraqesin rrezik për jetën.
Marko Ljubisa Kan është prej vitesh objektiv i sulmeve nga klani rival i Kavaçit në Mal të Zi, që ka tentuar disa herë ta eliminojë. Ai u ka shpëtuar të paktën pesë atentateve, dy herë në Beograd të Serbisë dhe tre herë në Budva.