Dora e nxirë e Trump bën xhiron e rrjetit, Shtëpia e Bardhë sqaron çfarë i ka ndodhur Presidentit amerikan

4
dora-e-nxire-e-trump-ben-xhiron-e-rrjetit,-shtepia-e-bardhe-sqaron-cfare-i-ka-ndodhur-presidentit-amerikan
Dora e nxirë e Trump bën xhiron e rrjetit, Shtëpia e Bardhë sqaron çfarë i ka ndodhur Presidentit amerikan

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar gjerësisht pamje të reja të Presidentit amerikan Donald Trump, ku në dorën e tij vihet re një pjesë e mbuluar me grim. Fotot u realizuan më 22 gusht gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale dhe kanë ndezur diskutime mbi shkaqet e përdorimit të make up-it.

Vetëm pak ditë më pas, të hënën, në takimin me Presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, vëmendjen e mori një mavijosje e dukshme në dorën e djathtë të Trump, e dokumentuar në fotografitë zyrtare.

Ky detaj lidhet me njoftimet e korrikut, kur Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti ishte diagnostikuar me insuficiencë kronike venoze – një gjendje e zakonshme që prek qarkullimin e gjakut. Zëdhënësja Karoline Leavitt sqaroi atëherë se diagnoza u vendos pas analizave mjekësore, të kryera për shkak të ënjtjes së këmbëve dhe mavijosjeve të herëpashershme.

Mjeku personal i presidentit, Sean Barbabella, e përshkroi gjendjen si “beninje dhe të zakonshme”, duke shpjeguar se shenjat në dorë shkaktohen nga irritime të lehta të indeve, nga shtrëngimet e shpeshta të duarve, si dhe nga përdorimi i aspirines për mbrojtje kardiovaskulare. Në memorandum, ai theksoi se “Presidenti Trump mbetet në shëndet shumë të mirë”.

Kjo nuk është hera e parë që duart e Trump tërheqin vëmendje. Në shkurt, gjatë vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Uashington, u vunë re shenja të ngjashme, ndërsa në fund të korrikut, gjatë një takimi në Skoci me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, fotot treguan përsëri mavijosje.

Sipas ekspertëve, insuficienca kronike venoze është tipike për personat mbi 70 vjeç dhe, në rastin e Trump, nuk paraqet shenja të problemeve më serioze si tromboza, sëmundje të arterieve apo komplikacione të zemrës.

Trump, i cili mbushi 79 vjeç më 14 qershor, mban rekordin si presidenti më i moshuar që ka nisur një mandat në historinë e Shteteve të Bashkuara.