
Projekt-kodi i ri penal, i cili po diskutohet aktualisht nga autoritetet ligjvënëse, sjell ndryshime domethënëse në dënimet për disa nga veprat penale më të përhapura në Shqipëri.
Qasja e re penale synon të ashpërsojë ndëshkimin për krimet e rënda, veçanërisht ato kundër jetës dhe fëmijëve, ndërsa në disa raste parashikon ulje të dënimeve për çështje që trajtohen në mënyrë të diferencuar, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Dënime më të rënda për vrasje dhe vjedhje
Sipas projekt-kodit, vrasja me dashje nuk do të dënohet më me 10 deri në 20 vite burg, por me 15 deri në 20 vite, duke hequr mundësinë për dënime më të ulëta.
Ndërkohë, për vrasjen me paramendim, parashikohet një rritje e kufirit minimal nga 15 në 20 vite, ndërsa maksimalja shkon deri në 30 vite, në vend të dënimit të përjetshëm në rastet e rënda.
Po ashtu, vjedhja, një nga veprat më të përhapura penale, do të ndëshkohet shumë më rëndë. Nga 1.5 vite aktualisht, parashikohet një dënim deri në 4 vite burg.
Mbrojtje më e fortë për të miturit
Një ndër shtyllat kryesore të projekt-kodit është forcimi i mbrojtjes ndaj fëmijëve. Për veprën penale të trafikimit të të miturve, dënimi rritet nga 15 vite në 17.5 vite burg.
Prostitucioni drejt dekriminalizimit
Në linjë me praktikat evropiane, projekt-kodi synon dekriminalizimin e prostitucionit, duke kaluar nga një dënim me 1.5 vite burg ose gjobë, në një trajtim të ri ligjor, në pritje të një ligji të veçantë për sigurinë dhe mbrojtjen sociale.
Ulje për narkotikët dhe armët pa leje
Ndryshe nga ashpërsimi i disa veprave, në disa fusha parashikohet ulje e dënimeve. Për shembull, për narkotikët, dënimi ulet nga 7.5 vite në 4.5 vite burg. Po ashtu, për mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, dënimi zbritet nga 6 në 5 vite.
Ulje dënimi parashikohet edhe per veprën ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’. Nga 7.5 vite që e ka kodi aktual, projekt kodi i ri parashikon 6 vite burg.
Dënime pa ndryshim në disa kategori
Për veprat si plagosje e rëndë me dashje, plagosje e lehtë, trafikimi i të rriturve, dhuna në familje, nuk ka ndryshime në krahasim me kodin aktual penal.